Lajmet e fundit

Komuna e Gjilanit ka inauguruar sot objektin gjigant të Bibliotekës Regjionale “Fan S. Noli”, i cili është ndërtuar sipas standardeve europiane me financim të Komisionit Europian në vlerë prej 2.3 milionë euro.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, pasi ka falënderuar Komisionin Europian për financimin e objektit të Bibliotekës, ka folur edhe për problemet që e ka gjetur këtë projekt me të marrë mandatin e kryetarit.
“Administrata e kaluar e ka nisur këtë projekt, por unë e kam gjetur të ndalur. Kemi arritur me komunikim të vazhdueshëm me Zyrën e BE’së që t’i tejkalojmë problemet e kohës dhe operatori i ri ka arritur që ta përfundoj në afat rekord”, tha Haziri.
Haziri tha se ky objekt, i cili ka mbi 3200 metra katrorë, do të jetë një mundësi e madhe për dashamirët e librit, nxënësit dhe studentët.
Ndërsa, Riccardo Serri, shef i sektorit për Politikë, Ekonomi dhe Integrime Europiane në kuadër të Zyres së BE’së në Kosovë, theksoi se ndihet i nderuar që po e inauguron këtë objekt.
“Është kënaqësi e madhe që ta inaguroj këtë hapësirë këtu. Kjo është një shenjë se ne po përpiqemi të kontribuojmë në arsimin dhe çasjen në informacion në Kosovë. I falënderoj të gjitha palët që kanë kontribuar në këtë ndërtim, MAPL, Komunën e Gjilanit, kryetarin, mbikëqyrësit dhe kompaninë e kontraktuar. Uroj që qytetarët e Gjilanit të përfitojnë plotësisht dhe të lexojnë sa më shumë libra”, tha Serri, transmeton Klan Kosova.