Lajmet e fundit

Në “Kosova Direkt” në emisionin Ora e Fundit në Klan Kosova i ftuar për të folur rreth gjendjes së sigurisë në Gjilan dhe disa incidenteve të fundit ishte zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Hashani ka bërë të ditur se pavarësisht disa rasteve të fundit që kryesisht kanë të bëjnë me dhunën familjare, Gjilani njihet si një qytet i qetë nga ana e sigurisë.
“Është rajon i qetë në mesin e të gjitha komunave”.
“Janë raste të izoluara dhe kjo nuk mund të ndikojë në sigurinë e përgjithshme”.
Hashani ka treguar për një rast të dhunës familjare duke e shpjeguar atë më detajisht.
“Policia është informuar se në një veturë në lëvizje një çift kanë filluar një fjalojse më të ashpër”.
“Burri e ka goditur bashkëshorten pasi kjo e fundit ka tentuar të dalë nga vetura të kërkojë ndihmë ku besohet se bashkëshorti e ka shtyer gruan e tij jashtë veturës duke i shkaktuar edhe lëndime”.
Hashani ka bërë të ditur se bashkëshortja pasi ka kërkuar ndihmën e mjekut është kthyer në shtëpi ndërsa gjendja e saj është e mirë ndërsa për bashkëshortin është caktuar masa e ndalimit prej 48 orë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit ka treguar edhe një rast tjetër të dhunës familjare në këtë rajon por që këtu viktimë është një burrë.
“Policia ka pranuar një informatë se një femër i ka dërguar disa mesazhe në telefonin e një burri me të cilin besohet se ishte në lidhje”.
“Prokurori i shtetit ka caktuar masën e ndalimit për 48 orë, rasti është dërguar në prokurori e më pas në gjykatë”.
Ai gjithashtu ka folur edhe për një rast tjetër, atë të dyshimit nëse në Trepezë kishte ndodhur një vetëvrasje apo vrasje.
“Njësitet e hetimeve rajonale kanë dalë në vend të ngjarjes në Trepezë ku trupi i pajetë i viktimës femër është dërguar në obduksion dhe sipas raportit kanë dalë fakti se rasti mund të jetë vrasje e jo vetëvrasje”.
“Pasi janë mbledhur provat është gjetur që ka qenë vrasje por aksidentale”.
“Besohet se vëllau aksidentalisht ka shkrepur armën”.
“I dyshuari është ndalur për 48 orë ndërsa gjykatësi i procedurës paraprake ka ndaluar të dyshuarin për 1 muaj paraburgim”.
Hashani në fund edhe njëherë ka bërë të ditur se në qytetin e Gjilanit situata në aspektin e sigurisë është kryesisht e qetë dhe nuk ka telashe të shumta.