Lajmet e fundit

Sot në Suhodoll të Mitrovicës kanë nisur gërmimet për gjetjen e trupave të personave që dyshohet të jenë vrarë dhe varrosur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ndërsa Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Prenk Gjeta, i ka thënë Klan Kosovës se ka qenë paradite në Mitrovicë, dhe ka thënë se Instituti i Mjekësisë Ligjore po i bën gërmimet bashkë me përfaqësues të EULEX-it dhe policisë për krime lufte.
Ai tha se në këtë vend ka pasur gjetje dhe se mbi 100 mbetje mortore janë gjetur dhe proceduar, ndërsa rezultatet kanë treguar se janë persona të zhdukur.
Trupat u janë dorëzuar familjeve, kryesisht të rajonit të Mitrovicës, dhe është konstatuar se kanë qenë viktima të periudhës së luftës.
Sipas Gjetajt, tani po bëhet një rivlerësim i vendit sepse ka pasur dyshime se nuk është kontrolluar i gjithë terreni. Kështu, kjo po bëhet për të hequr dyshimet.
Gërmime vlerësuese do të bëhen edhe nesër, deri në përfundimin e vlerësimit të të gjitha hapësirave të dyshuara.