Lajmet e fundit

Ambasadori i Gjermanisë në Serbi, Aksel Ditman, e ka mohuar se Gjermania i ka kërkuar Serbisë që ta njohë pavarësinë e Kosovës si kusht për anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Është e ditur se Gjermania është e përkushtuar që t’i hapë kapitujt për anëtarësimin e Serbisë në Bashkim Europian, mirëpo deklaratat se ne kemi kërkuar nga Serbia njohjen e Kosovës janë të pabaza”, ka thënë Ditman për televizionin serb B92, transmeton Klan Kosova.
Ditman ka shpjeguar se në draftin e BE-së për pozicionin e saj negociues në raport me anëtarësinë e Serbisë në këtë organizatë, janë parashtruar vetëm kushtet që kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun politik me Prishtinën.
Ai ka rikujtuar se në janar të vitit 2014 Bashkimi Europian dhe Serbia kishin rënë dakord mbi kornizën negociuese, si bazë për të gjithë procesin e dialogut.
“Korniza negociuese thekson rëndësinë për përparim në procesin e negociatave dhe rëndësinë që kanë marrëveshjet e prillit të arritura në Bruksel në vitin 2013 në këtë proces”, është shprehur ambasadori gjerman në Serbi.
Para kësaj deklarate të zyrtarit gjerman, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë gjatë takimit të djeshëm në Bruksel në mes liderëve nga Beogradi e Prishtina, Gjermania ka propozuar një amendament ku Serbia kushtëzohej me njohjen e Kosovës si kusht për anëtarësim në Bashkim Europian.