Ende pa i mbushur mirë një muaj si ministër i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, ka sjellë në Parlament dy projektligje tejet të rëndësishme mbi emigracionin.
Ekzekutivi i ri gjerman i kryesuar nga Friedrich Mertz, po lëviz shpejt drejt ashpërsimit të rregullave të reja të azilit.
Siç raportojnë mediat gjermane, projektligji i parë ka të bëjë me kufizimin e rasteve kur do të lejohet ribashkimi familjar i refugjatëve, derisa i dyti synon heqjen e të ashtuquajturit natyralizim të shpejtë për raste të veçanta dhe vetëm pas tre vitesh qëndrimi në vend.
“Sot është një ditë vendimtare në kauzën e reduktimit të migracionit të parregullt dhe luftimit të mbingarkesës së sistemeve të integrimit,” tha kreu i ministrisë së Brendshme të shtetit Federal gjerman transmeton Klankosova.tv.
“Qëllimi ynë është të zvogëlojmë faktorët që veprojnë si faktorë tërheqës, të sjellim më shumë rend në procesin e migrimit, duke respektuar njëkohësisht parimin e humanitetit", theksoia i.
Mungesa e një zgjidhjeje për problemin e imigracionit ka kontribuar ndjeshëm në polarizimin social, siç argumentoi ministri, dhe është koha për të marrë masa.
Ribashkimi familjar ka të bëjë me njerëzit me të ashtuquajturin status të mbrojtjes plotësuese. Këta janë refugjatë që nuk u jepet azil ose mbrojtje si refugjatë në Gjermani, por megjithatë lejohen të qëndrojnë, sepse përballen me persekutim politik, tortura ose dënim me vdekje në vendet e tyre të origjinës.
Sipas projektligjit, në fund të marsit, pothuajse 390 mijë persona me mbrojtje plotësuese jetonin në Gjermani.
Nga gushti i vitit 2018-të, 1 mijë personave në muaj u është dhënë leja e hyrjes në vend si të afërm të personave me këtë status mbrojtjeje, apo rreth 12 mijë në vit, transmeton Klankosova.tv.
Një total prej 229 mijë e 751 personash kërkuan azil për herë të parë në Gjermani vitin e kaluar. Ribashkimi familjar më parë ishte i kufizuar vetëm për të afërmit e ngushtë – përkatësisht bashkëshortët, partnerët e regjistruar dhe fëmijët e mitur.
Personat me mbrojtje plotësuese nuk do të lejohen më të sjellin anëtarët e familjes në Gjermani për dy vjet. Rastet e vështirësive ekstreme përjashtohen, megjithatë projektligji nuk përcakton saktësisht se çfarë përbëjnë këto raste.
Ky ndryshim në legjislacion kritikohet nga të Gjelbrit (Die Grunen) dhe Partia e Majtë (Die Linke).
Rreth këtyre projektligjeve, ka reaguar edhe Amnesty International, duke e quajtur atë një kufizim të mëtejshëm të të drejtave të refugjatëve.
Sophie Seit, një eksperte për politikën e azilit në Gjermani, tha: “Për shumicën e njerëzve, është e vështirë të imagjinohet të jetosh i ndarë pa dëshirë nga familja e ngushtë – domethënë fëmijët, bashkëshortët ose partnerët, prindërit dhe vëllezërit e motrat – për muaj ose edhe vite. Për shumë refugjatë në Gjermani dhe familjet e tyre, ky është pikërisht realiteti.”
Organizata thekson se “kufizimet në ribashkimin familjar për ata që kanë marrë mbrojtje plotësuese, shpesh refugjatë të luftës civile, për shembull nga Siria , mungesa e mundësisë për të sjellë vëllezërit e motrat në Gjermani dhe fakti që procedurat e ribashkimit familjar në praktikë zgjasin me vite, përbëjnë një shkelje të rëndësishme të së drejtës për një familje.”
Qëndrime të ngjashme kanë shprehur edhe organizata të tjera, si Pro Asyl (përkthim Pro azilit), si dhe Këshilli i Pavarur për Migrim dhe Integrim.
Përveç kësaj, qeveria gjermane dëshiron gjithashtu të shfuqizojë natyralizimin e përshpejtuar që ishte vendosur pas tre vitesh qëndrimi në vend për emigrantët veçanërisht të integruar mirë, i cili ishte miratuar nga koalicioni i mëparshëm trepartiak. Këto të ashtuquajtura “natyralizime turbo” ishin tashmë një gjemb në këmbë për demokratët e krishterë kur ata ishin në opozitë, dhe heqja e tyre ishte një premtim fushate.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.