Lajmet e fundit

Qeveria gjermane miratoi sot disa masa për t’i bërë ballë fluksit rekord të imigrantëve, ku përfshihen ashpërsimi i disa kushteve të së drejtës për azil dhe përjashtimi i shtetasve nga Ballkani.
Berlini synon veçanërisht të lehtësojë ndërtimin e qendrave të reja të pritjes dhe t’u japë më shumë hapësirë kurseve të gjuhës gjermane, e në të njëjtën kohë të përshpejtojë procedurat e shqyrtimit të kërkesave për azil si dhe të rikthejë në vendet e tyre të origjinës personat të cilëve u refuzohet azili.
Masat e miratuara në Këshillin e Ministrave dhe që do të shqyrtohen në Parlament, parashikojnë në mënyrë të veçantë të shpallin tri vende të tjera të Ballkanit Perëndimor - Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi si vende të origjinës të sigurt, me synim për të bërë të mundur rikthimin më lehtë të shtetasve të këtyre vendeve.
Në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, rreth 40 për qind e azilkërkuesve ishin me origjinë nga këto vende, ndërkohë që mundësia për pranimin e kërkesës së tyre është vetëm një për qind.
Kjo shifër ngadalëson gjithashtu procesin e shqyrtimit të kërkesave të sirianëve apo irakianë të cilët kanë më shumë mundësi që kërkesat e tyre të pranohen.
Përveç të tjerave, është parashikuar që refugjatët pas mbërritjes në qendrat e para të pritjes në Gjermani të marrin shërbime të ndryshme në vend të parave në dorë.
Gjermania ka parashikuar të presë deri në një milionë imigrantë këtë vit, një shifër rekord që vë në rrezik kapacitetet e pritjes së vendit dhe ngjall pakënaqësi në radhët e familjes politike konservatore të kancelares Angela Merkel.
Si kundërpeshë për bujarinë e shfaqur për pritjen e imigrantëve, Berlini kërkon të tregohet më i vendosur për dëbimin e azilkërkuesve të refuzuar, duke ngjallur kritika të disa organizatave joqeveritare. Një zyrtar i organizatës për mbrojtjen e refugjatëve “Pro Asyl”, Gynter Burkhardt, theksoi për të përditshmen “Süddeutsche Zeitung” se këto masa përbëjnë një “poshtërim” për azilkërkuesit në Gjermani dhe do të frenojnë integrimin e tyre./Shekulli