Lajmet e fundit

Ministria e Jashtme e Gjeorgjisë ka dënuar ashpër vrasjet e civilëve në qytetin ukrainas Bucha, afër Kievit.
"Jemi të shkatërruar nga skenat e mizorive brutale. Të gjithë ata që janë të përfshirë në këto krime lufte duhet të mbajnë përgjegjësi”, thuhet në shkrimin e kësaj ministrie në Twitter.
Presidentja, Salome Zourabichvili tha se masakra e Buçës ishte një krim kundër njerëzimit, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Qeveria gjeorgjiane ka qenë nën kritikat e opozitës për mbështetjen e saj të vakët për Ukrainën, si dhe ky shtet refuzoi t'i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy tërhoqi ambasadorët e Ukrainës në Gjeorgji javën e kaluar.
“Me gjithë respektin, nëse nuk do të ketë armë, nuk do të ketë sanksione, nuk do të ketë kufizime për biznesin rus, atëherë ju lutemi kërkoni punë tjetër", ishte shprehur Zelenskyy.