Lajmet e fundit
Nuk janë vetëm detajet teknike, por edhe ato përmbajtësore që po e pengojnë procedimin e Projektligjit për Gjykatën Speciale për Krime Lufte për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Termi gjenocid në këtë Projektligj, përbën një prej mospajtimeve kryesore. Projektligji në fjalë është negociuar nga Qeveria e Kosovës me përfaqësuesit ligjor të Bashkimit Evropian.
Ky draft-ligj, sipas procedurave të ndjekura, mendohet të procedohet menjëherë pas miratimit të amandamenteve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Kjo gjykatë pretendon që të hetojë supozimet në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me dyshimet për krime lufte të disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së ndaj disa civilëve serbë gjatë periudhës së viteve 1999 - 2000.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, njëherësh anëtar i Komisionit për Legjislacion thotë se projektligji ende nuk i është proceduar Komisionit dhe nuk mund të dihet përmbajtja finale e tij.
Por, termi gjenocid, sipas tij, në çdo rrethanë bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
"Me Kushtetutë dhe ligjet e aplikueshme nuk munden me qenë pjesë e legjislativit, sepse fjala gjenocid e tejkalon edhe atë që ndërlidhet me Kushtetutë dhe të drejtat e njeriut, por edhe me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale", ka thënë Zemaj në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se zgjidhja e vetme është mospranimi i kësaj Gjykate nga ana e institucioneve të Kosovës.
"Ne e kemi ngritur në vazhdimësi në kuadër të argumentimit tonë kundër Gjykatës Speciale dhe akuzave që përmban ky rast, ndër to edhe termin gjenocid ose akuzën për gjenocid, e cila e bën edhe më problematike këtë gjykatë”, ka thënë Çaushi.
Sa i përket kostos financiare, Bashkimi Evropian thuhet se i ka marrë përsipër të gjitha shpenzimet e themelimit të Gjykatës Speciale, përfshi edhe pagesën e stafit, i cili pritet të jetë në përbërje ndërkombëtare.