Lajmet e fundit

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz këtë të shtune ishte pjesë e forumit të Dubrovnikut me moton ‘Së bashku në një botë të ndarë’ ku ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e BE-së patën mundësi të diskutojnë për të ardhmen e gjashtë vendeve drejt integrimit evropian.
Gjatë fjalimit të saj, kryediplomatja kosovare i shpalli të papërfunduara detyrat e shtëpisë së Kosovës për tu integruar në BE derisa vlerësoi se Evropa nuk ka pse të fajësohet për gabimet e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Duhet të vlerësohet, pavarësisht të gjitha vështirësive dhe prapambetjes, Bashkimi Evropian na ka ofruar më të mirën që ka mundur, perspektivën e anëtarësimit në projektin më të suksesshëm në historinë e Evropës. Për këtë arsye, e më shumë për veten tonë, ne duhet ti bëjmë detyrat e shtëpisë, duhet që ta zbatojmë sundimin e vërtetë të ligjit, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit, duhet të garantojmë liri të medias, duhet të zhvillojmë vërtetë reformën në drejtësi... nuk ia kemi dalë akoma, dhe nuk kemi arsye ta fajësojmë Evropën për gabimet tona”.
Shefja e diplomacisë kosovare qëndron megjithatë në linjë me krerët tjerë kur bëhet fjalë për ta kundërshtuar mini shengenin. Kjo iniciativë sipas saj nuk i trajton vendet si të barabarta, e të cilin rrezik thotë se e nuhati Kosova.
“Më lejoni të jem e qartë si kristali, nuk ka mini shengen, është diçka e pavërtetë, një kurth, diçka që duket si BE-ja, por nuk është e tillë, sepse shengeni i vërtetë është krejt e kundërta e asaj që quhet mini shengen... Kohërat e rrezikshme në Ballkan nuk kanë kaluar akoma, idetë e rrezikshme për mini shengenin janë dëshmi për këtë, ne duhet të kthehemi në rrugën e drejtë, ne duhet të sigurojmë një të ardhme prosperuese e paqësore”.
Mini shengeni do të përmendej sërish në këtë panel nga folësi i fundit, sekretari serb i shtetit Nemanja Starovic. Ky nuk hezitoi t’i referohej Kosovës si provincë serbe, për çka nuk pati asnjë reagim nga panelistët, as nga kosovarja.
“Isha pak i befasuar me çfarë dëgjova në fillim të këtij diskutimi dhe duhet ta qartësoj se Beogradi, Shkupi dhe Tirana e filluan këtë proces por është plotësisht e hapur për miqtë tanë në Bosnje e Hercegovinë, Mali i Zi, dhe po ashtu për provincën tonë jugore Kosovën e Metohinë, dhe mbi të gjitha, muaj më parë, në shtator të vitit të kaluar, Prishtina u zotua të bëhet pjesë e mini shengenit në bazë të marrëveshjes së Uashingtonit, por është e drejta e tyre të bëhen pjesë apo jo e saj, dhe koha do ta provojë vlerën e kësaj iniciative, dhe nëse problemi qëndron tek emri i iniciativës, mini shengen, po ju informoj që brenda dy javësh do ta ndryshojmë emrin”.