Lajmet e fundit
Pas raportimit të mediave serbe se në kufi janë ndaluar tre shqiptarë që në makinë kishin dron, Ministria e Brendshme e Serbisë ka bërë me dije se asnjë shqiptar nuk ka përfunduar në pranga për të këtillë arsye

Ndeshja mes Partizanit të Beogradit dhe Skënderbeut është e konsideruar e një risku të lartë dhe, për këtë, masat e ndërmarra nga pala serbe janë shumë të larta.
Paraprakisht mes dy klubeve, por edhe dy shteteve ka pasur një dakordësim për një listë masash që do të ndërmerren për zhvillimin e këtij 90-minutëshi pa incidente. Mirëpo dje, në mediat serbe është publikuar një lajm që bënte me dije se tre shqiptarë janë ndaluar në kufi, duke qenë se në makinën e tyre është gjetur një dron me telekomandë.
“Kurir” ka shkruar se të ndaluarit nga policia serbe nuk janë lejuar që të vijojnë udhëtimin në Serbi, duke qenë se nuk kishin lejen e nevojshme nga policitë e dy vendeve për dronin. “Kurir” dhe “Vercernje Novosti” kanë qenë dy mediat serbe që i kanë bërë jehonë këtij lajmi, shkruan “Panorama Sport”.
Pak orë ka zgjatur jehona e mediave serbe mbi këtë informacion të shpërndarë. Ka qenë Ministria e Brendshme e Serbisë që ka bërë me dije se nuk ka pasur asnjë shqiptar të ndaluar në lidhje me një ngjarje të tillë. Duket edhe një herë tendenca e mediave serbe për të trumbetuar shqiptarët si prishës të rendit dhe qetësisë në një ngjarje të tillë sportive, duke abuzuar me informimin publik.