Lajmet e fundit

Artisti Genc Salihu tha se shoqëria kosovare e priti befasisht mirë filmin "Martesa", ku trajtohet tema e homoseksualëve, e ku rolin e njërit nga ta e pati vetë ai.
Sipas tij, kjo ndodhi mbase për faktin se Blerta Zeqiri diti ta strukturojë mirë gjithë produktin filmik.
Salihu, gjatë një interviste me gazetaren Naile Dema, për emisionin “Prijmë” në Klan Kosova, tha se beson që shumë kosovarë, në ndonjë mënyrë, e gjetën vetën në këtë prodhim kinematografik, ngase regjisorja investoi që personazhet të kenë lidhje empatie me publikun.
Ai mori një shembull interesant për ta shtjelluar këtë pretendim të tij.
"Kur e ki dikë djalë të hallës edhe je rritë me të edhe e do shumë edhe ti je homofob, je dikush që nuk e pranon homoseksualizmin, nëse ti ki me marrë vesh në një moment të jetës tënde, mbas tanë asaj kohe që ke kalu me djalin e hallës tënde, tanë asaj dashurie, tanë atyre kujtimeve e ai qenka homoseksual. Shanset ma të mëdha janë që ti prapë ke me vazhdu me dashtë, prapë ki me vazhdu me qenë i afërt me të edhe pavarësisht që mundet ty me të pengu qaj aspekt i qenies së djalit të hallës tënde, nuk ke me i ndërpre marrëdhëniet me të sepse ke investu në atë marrëdhënie edhe këtë ka mbërri me bo martesa", tha Salihu.
Emisioni “Prijmë” është një projekt i përbashkët i Klan Kosovës dhe NDI-së.