Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, në Zonën e Debatit në Klan Kosova, ka thënë se janë marrë vesh edhe me Serbinë që Marrëveshja për Asociacionin t'i dërgohet Gjykatës Kushtetuese.
Gecaj komentoi edhe demarkacionin me Malin e Zi, për të cilën çështje kërkoi nga Opozita që t'i angazhojë ekspertët e saj, njofton Klan Kosova.
"Pas të gjitha takimeve e bisedimeve me pozitën e opozitën presidentja siç duket ka marrë vendim t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese".
"Pritej që qeveria t’i kërkonte mendim kushtetueses për marrëveshjen, për shkak se edhe në përmbajtjen e saj parashihet që qeveria t’i drejtohet kësaj gjykate".
"Edhe me Serbinë jemi marrë vesh që marrëveshja t’i dërgohet kushtetueses dhe vendimi i kësaj gjykate do të jetë i pakontestueshëm".
"Gjykata Kushtetuese është interpretuesi i fundit i saj. Pasi ta dërgojë presidentja Jahjaga marrëveshjen në Gjykatë për interpretim, një gjë e tillë s’ka nevojë të bëhet edhe nga qeveria".
"Sa i përket demarkacionit, ajo marrëveshje po pret ratifikim edhe në Malin e Zi. Ka shumë gjasë që edhe atje të hasë në kundërshti përmbajtja e saj".
"Opozita mund t’i sjellë ekspertët e ta bëjë vlerësimin e marrëveshjes për demarkacion, qeveria i ka ekspertët e saj zyrtarë e ne mund të kërkojmë edhe mendimin e një pale neutrale siç është Bashkimi Europian".
klankosova.tv
●●●
Shpërndaje këtë artikull
K
SHKRIMI NGA
KLANKOSOVA
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.