Lajmet e fundit

Një libër që flet për tragjedinë e Gërdecit më 15 mars 2008, për shkaqet, përgjegjësitë e qeveritarëve shqiptarë dhe amerikanë të përzier në një mega aferë korruptive, si dhe për krimet e pandëshkuara të kësaj afere ka bërë jehonë të veçantë në Shtetet e Bashkuara dhe në Shqipëri. Autori i këtij libri, një gazetar i njohur që ka shkruar për New Jork Times-in dhe Rolling Stone, ka folur për gazeten DITA-n rreth këtij libri dhe për pikëpyetjet që vazhdojnë ta mundojnë sërish për çështjen e Gërdecit.
– Zoti Lawson, libri juaj “Armët dhe çunat”, i përkthyer tashmë edhe në shqip, ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik shqiptar. Tragjedia e Gërdecit mbart shumë pyetje dhe mistere brenda saj. Çfarë mendoni se është misteri më i madh i kësaj tragjedie?
– Unë jam veçanërisht i interesuar në rolin e zyrtarëve amerikanë, si në skandalin AEY, dhe në katastrofën e Gërdecit. Zyrtarë amerikanë, ushtarakë dhe diplomatë, kishin lidhje tejet të ngushta me Ministrinë shqiptare të Mbrojtjes – ata kishin një zyrë brenda ministrisë – dhe në mënyrë të qartë dihet se Fatmir Mediu dhe bashkëpunëtorët e tij kanë përfituar nga shitja e tepricave të municioneve “kineze” gjatë kohës që Shqipëria ishte në rrugën e anëtarësimit në NATO. Por çfarë dinë konkretisht amerikanët? Duket e pabesueshme që ushtria amerikane nuk kishte dijeni në lidhje me operacionin që zhvillohej në Gërdec për demontimin në atë shkallë të municioneve – e cila rezultoi në kaq shumë vdekje.
– Pse Gërdeci është “lënë në mes të rrugës” nga drejtësia shqiptare?
Në qoftë se Shqipëria është duke u bërë me të vërtetë një komb evropian – dhe një anëtar i denjë i NATO-s – ajo duhet të jetë e përgjegjshme dhe të jetë transparente. Kjo kërkon një gjyqësor të pavarur dhe një shtyp të lirë të fortë. Në rastin e Gërdecit, politikanët e përfshirë në atë çështje u votuan për t’i dhënë vetes imunitet. Ky është një turp. Është e kuptueshme që atyre u shkon përshtat t’i lënë të patrazuara çështjet e sikletshme – kjo është ajo që Presidenti Obama ka bërë në shoqërinë amerikane, me shumë krime të luftës në administratën e mëparshme që nuk hetohen, duke përfshirë torturën. Por kjo lloj paqeje vjen me një çmim të madh, jo vetëm për familjet e viktimave. Dështimi për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në Gërdec do të thotë se e njëjta gjë do të ndodhë përsëri – dhe përsëri dhe përsëri. Korrupsioni duhet të ekspozohet ose përndryshe ai kurrë nuk do të ketë fund.
– Çfarë e pengon, sipas jush, drejtësinë shqiptare të zbardhë të vërtetën në lidhje me këtë tragjedi?
Mesa duket, duhet të ketë një marrëveshje të heshtur në klasën politike për ta mbyllur këtë çështje – kjo është historia e lashtë e zvarritjes pafundësisht të fantazmave dhe demonëve. Por ky është një përfundim i tmerrshëm. Kur u takova vite më parë me Erion Veliajn, ai më tha se në qoftë se do të ishte ndonjëherë në qeveri, do të përpiqej që Gërdeci dhe vdekja e Kosta Trebickës të hetohen plotësisht dhe siç duhet. Unë e di se ai ishte i përfshirë në fushatën e Kosta Trebickës për të zbuluar korrupsionin në Ministrinë e Mbrojtjes – dhe se ai ishte jashtëzakonisht dyshues në lidhje me rrethanat e vdekjes së Trebickës. Tani që Veliaj është në pushtet, unë i bëj thirrje që të mbajë fjalën.
– A është e implikuar qeveria amerikane, përkatësisht ambasada amerikane në Tiranë, me këtë aferë korruptive?
Unë di që akuzat janë bërë nga zyrtarët amerikanë kundër zyrtarëve të tjerë amerikanë – dhe se ato pretendime nuk janë hetuar plotësisht në Shqipëri, apo Shtetet e Bashkuara. Duket se çështja është konsideruar si shumë e ndjeshme – çka është një padrejtësi ndaj familjes së Kosta Trebickës, viktimave të Gërdecit dhe ndaj popullit shqiptar.
– Miku im Gary Kokalari, ka shkruar vazhdimisht për AEY dhe është i njohur për luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë të qeverisë në Shqipëri. Çfarë mund të na thoni në lidhje me rolin e tij në ekspozimin e skandalit AEY?
– Me sa kuptoj unë, Kokalari ishte nyja e kontaktit të Kosta Trebickës në Shtetet e Bashkuara. Kokalari ka njoftuar Departamentin e Drejtësisë, Pentagonin, Kongresin, si dhe gazetën New York Times për korrupsionin brenda qeverisë shqiptare – por asnjëri prej tyre nuk ishin të interesuar për të ndihmuar popullin shqiptar për t’i dhënë një qeverisje të mirë. Veprimet e Kokalarit shkaktuan një seri ngjarjesh që patën ndikim të rëndësishëm. Ironia është se edhe Kokalari dhe Trebicka janë përpjekur të vënë në dukje korrupsionin në Shqipëri – por asnjëri nga ata nuk shkaktoi ndonjë ndikim atje. Ka pasur në të vërtetë shumë pasoja, por pak ose asnjë nga ata që ishin përgjegjës nuk e ka pësuar, e kam fjalën për njerëz si ish-kryeministri Berisha, apo ministri i Mbrojtjes Mediu.
Për një ironi të hidhur kalendarike, Kosta Trebicka, biznesmeni i cili denoncoi trafikun e municioneve që shkonin nga Gërdeci në Afganistan, pasi më herët ishte përfshirë vetë në të, u gjet i vdekur në datën 12 shtator 2008, 10 vjet pas vrasjes së Azem Hajdarit. U fol për një aksident automobilistik pranë fshatit Lekas të Korcës, një zonë e thellë malore ku biznesmeni shkonte për gjah. Njoftimet e para folën për qenien i vetëm në makinën e tij Nisan Patrol me targë TR 88 43J, dhe se policia është lajmëruar nga dy punëtorë të cilët kanë parë aksidentin dhe kanë njoftuar. U vendos të ftohej një ekspert amerikan, Kevin Teter, përveç ekspertëve shqiptarë që asistuan në hetime, kjo për hetime “sa më profesionale e të paanshme” për shkak të ndjeshmërisë së çështjes. Si raportet e Mjekësisë Ligjore, edhe analiza e Teterit, e klasifikuan vdekjen e biznesmenit 52 vjeçar si aksident.
Me anën e një raporti përmbledhës, firmosur në datën 23 shtator të atij viti, Teter nuk ka lënë vend për analiza të tjera, duke e klasifikuar ngjarjen si aksident të pastër automobilistik. Amerikani ka sqaruar se ngjarja ishte si pasojë e një gabimi njerëzor, duke ia vënë “fajin” shoferit, i cili ka bërë një kthesë të fortë, që ka sjellë edhe rrotullimin e makinës. Për pasojë, shoferi (Trebicka) ka dalë nga pjesa e hapur e “tavanit” të mjetit duke përfunduar në rrugë. Teter sqaronte gjithashtu se pas kësaj situate, shoferi është shtypur nga makina e tij, duke sjellë edhe vdekjen e pashmangshme./Gazeta Dita