Lajmet e fundit

Një ditë më parë gazetarët e ekonomisë bojkotuan në bllok një takim informal me ministrin e financave. Ministria tentoi ta përgënjeshtronte, por në fakt takimi, i cili ishte programuar në orën 10 e 45 minuta u bojkotua. Deri në orën e para të paradites departamenti i mardhënieve me publikun në MF, ka tentuar ta realizojë takimin, (kjo eshte e dokumentuar nga telefonatat e mberritura ne disa redaksi), por pasi u gjend përballë refuzimit në bllok, në orën 10 njoftoi anulimin e takimit, thuhet në një deklaratë të përbashkë të gazetarëve që mbulojnë çështjet ekonomike.
Deklarata vijon më tej me sqarimin e arsyeve të bojkotit: "Në kursin e 25 viteve të fundit ky është një rast i rrallë në mos unik. Por cilat janë arsyet se pse marrëdhëniet e ministrisë së financave me gazetarët e ekonomisë kanë mbërritur në këtë pikë?
Është e vërtetë se ministria e financave nuk është model i transparencës. Madje, muajt e fundit ky institucion ka shënuar regres të dukshëm në këtë drejtim duke fshehur ose vonuar publikimin e informacioneve që duhet të jenë publike. Por sërish nuk ishte kjo arsyeja kryesore e bojkotit, por një tjetër, që lidhet me komunikimin e këtij institucioni me gazetarët.
Vecanërisht gjatë muajve të fundit, për nga gjuha dhe modeli i komunikimit me gazetarët, por edhe publikun e gjerë, ministria e financave është shndërruar, në një institucion që të kujton të shkuarën famëkeqe, kur segmente të pushtetit ushtronin trysni ndaj mediave dhe gazetarëve.
Vecanërisht gjatë muajve të fundit, në më shumë se një rast në njoftimet apo deklaratat zyrtare të këtij institucioni është përdorur një gjuhë totalisht e papranueshme urrejtje dhe ofenduese ndaj gazetarëve. Pa përfshirë këtu trysninë e ushtruar në rrugë informale, vecanerisht ndaj atyre qe kanë patur qëndrime kritike ndaj këtij institucioni.
Në këtë kuadër, si gazetarë të ekonomisë në mediat kryesore të vendit e konsiderojmë si të papranueshme një model të tillë komunikimi, i cili është shndërruar në një pengesë serioze për lirinë tonë, në punën e përditshme për informimin e publikut në mënyrë të saktë, korrekte dhe të paanshme.
Përballë kësaj situate e pamë të nevojshme të ndërmerrnim këtë akt ekstrem duke shpresuar se kjo do të nxisë rishikimin e gjuhës, modelit por edhe praktikave të komunikimit në ministrinë e Financave, me të cilën jemi maskimalisht të interesuar për të rivendosur një komunikim normal dhe korrekt larg stilit të vjetër ofendues apo shantazhues ndaj gazetarëve."/Lapsi.al