Lajmet e fundit
"Deklarata e Aleksandar Vuçiq për një nga njësitet më profesionale të policisë në rajon ishte shoviniste dhe raciste dhe këtë gjë ua kam thënë edhe diplomatëve të huaj që i kemi në vend"

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj e ka etiketuar si shoviniste dhe raciste deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për njësin special të Policisë së Kosovës - ROSU, ndërsa ka lavdëruar qëndrimin e disa politikanëve të moderuar serbë në raport me arrestimin e të ashtuquajturit shef i Zyrës Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq.
Ajo ishte bandë terroriste e veshur me rroba të policisë, pati thënë Vuçiq në konferencë për media, pas takimit të Këshillit të Sigurisë të Serbisë, ndërsa kishte kërcënuar me ndërhyrje ushtarake si dhe me ndryshim të formatit të dialogut në Bruksel.
"Nuk kam pasur mandat të flas me Listën Serbe. Besoj që Ramush Haradinaj ose dikush tjetër tashmë e ka bërë këtë gjë. Por ne nuk e harrojmë atë që ka ndodhur në rastin e trenit ruso-serb. Mua po më befasojnë teoritë e konspiracionit për rastin e fundit. Më kujtohet që ai tren na pati vënë në pozitë jo të lehtë, sepse ne edhe vetëm disa orë para se të vinte nuk kishim qëndrim të formësuar për të. Treni, futja ilegale e Marko Gjuriq dhe tash kjo përpjeka për të formuar Asociacionin janë tentime për të krijuar probleme".
"Ne nuk do të tolerojmë veprime të njëanshme dhe as tendencën për të krijuar fakte të reja në terren. Ishte e çuditshme deklarata e Aleksandar Vuçiq se ata mund t'i ndërrojnë parametrat, apo pozicionet filluese në dialog. Se kjo gjë nuk mund të ndodhë dhe se struktura e dialogut është vendosur qyshkur ua kam thënë edhe diplomatëve ndërkombëtarë sot".
"Nga rasti i fundit mësuam se nuk ka më struktura paralele të organizuara në nivelin që ishin dikur. Në veri të vendit ka edhe më tutje struktura paralele, por jo në atë nivel si dikur. Dialogu me krejt dobësitë ka filluar ta transformojë psikologjinë e serbëve atje. Prandaj shtrohet pyetja se çfarë ka synuar Marko Gjuriq me vizitën e tij atje?"
"Në veri të vendit situata është përmirësuar dukshëm. Por në tërësi stabiliteti mund të jetë i arritur kur Kosova dhe Serbia të kenë marrëveshje që na siguron neve anëtarësimin në Orgazinatën e Kombeve të Bashkuara. Por kjo nuk do të thotë se Serbia nuk do të mundohet të shkaktojë probleme, për t'i siguruar vetes njëfarë karte të ndikimit rajonal".
"Deklarata e Aleksandar Vuçiq për një nga njësitet më profesionale të policisë në rajon ishte shoviniste dhe raciste dhe këtë gjë ua kam thënë edhe diplomatëve të huaj që i kemi në vend".
Hoxhaj ka komentuar edhe vendimin e Listës Serbe për t'u tërhequr nga qeveria, duke theksuar se pret që qysh të enjten ndonjë nga ta të kthehet dhe të jetë pjesë e mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, por duke nënvizuar se në asnjë rast nuk do t'i nënshtrohen tendencës për shantazh nga ky subjekt politik.
"Ne i ftojmë pjesëtarët e Listës Serbe që të mos bëjnë veprime të njanshme. Në veri të vendit jetojnë rreth 30 mijë serbë, ndërsa në krejt territorin e Kosovës ndoshta 70 mijë serbë. Nuk ka kurrfarë parakushtesh që këtu të krijohet një Republikë Serbe, si ajo në Bosnjë. As parakushte demografike, as politike".
"Besoj që gjatë javëve të ardhshme do të tejkalohet qëndrimi i Listës Serbe për t'u tërhequr dhe se ata do të jenë pjesë e institucioneve të vendit. Por besoj se ne i kemi bindur ndërkombëtarët se qeveria është stabile dhe se ne nuk do të lejojmë të shantazhohemi. Në këtë situatë kam respekt edhe për mënyrën si është sjellë opozita. Qëndrimi i LDK-së edhe për demarkacionin, edhe për këtë rast është për t'u përshëndetur".
"Mendoj që nesër mund të jetë dikush nga ta(Lista Serbe) në qeveri dhe të mbajë edhe fjalim".
Deklaratën e lëshuar nga Lëvizja Vetëvendosje si dhe qëndrimin e të parit të këtij subjekti politik, Albin Kurti, e ka quajtur për keqardhje, ndërsa ka shtuar se shpejt pritet që të dilet me një platformë të re për dialogun me Serbinë.
"Ishte për keqardhje(deklarata e Lëvizjes Vetëvendosje). Çka do të ndodhte nëse ne do ta toleronim dhe ai(Marko Gjuriq) të bënte deklarata të zakonshme, siç bën ai. Mendoj që pyetja do të duhej të ishte tjetër dhe jo kështu konspirative".
"Mendoj që gjatë ditëve të ardhshme duhet ta plasojmë një platformë të re të dialogut me Serbinë. Duhet të kemi edhe një diskutim për këtë çështje, meqë duam ta përmbyllim procesin e dialogut. Nuk duhet të hyjmë në një proces kur kemi mosmarrëveshje, aq më pak kur ka marrëveshje të gabuara". /klankosova.tv