Lajmet e fundit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka marrë pjesë sot në takimin e radhës të Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi.
Në këtë takim, ai propozoi aprovimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Pjesëmarrjen e Kosovës në programin Evropa Kreative.
Marrëveshja për pjesëmarrjen e Kosovës në programin Evropa Kreative është nënshkruar më 5 qershor me Komisionerin Evropian për Arsim, Shkencë, Kulturë dhe Rini, Tibor Navracsis.
Ministri njoftoi se e njëjta është proceduar për aprovim në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe është aprovuar në mbledhjen e datës 31 Korrik 2018.
Ai foli për përmbajtjen dhe rëndësinë e aprovimit të këtij projektligji.
“Pjesëmarrja e Kosovës në kuadër të këtij programi është me rëndësi të vecantë, pasi që mbështetja për sektorin kulturor dhe audiovizual nga programi është në përputhje dhe me politikat prioritare të Qeverisë së Republikës së Kosovës e në veçanti Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit”.
“Programi Evropa Kreative kontribuon ndër të tjera dhe në ruajtjen e diversitetit kulturor dhe gjuhësor, në nxitjen e rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, përshtatjen e sektorëve kulturorë dhe kreativ me epokën digjitale si dhe në krijimin e mundësive të reja ndërkombëtare, tregjeve dhe audiencës”, tha Gashi.
Ai vlerësoi se ky program do të kontribuojë në promovimin e aktiviteteve në sektorin kulturor përmes projekteve të bashkëpunimit.