Lajmet e fundit

Sipas deputetit të Lidhjes Demokratike, Arben Gashit, në Drenas ka shumë mundësi që të ndodhë ndonjë ndryshim dhe Partia Demokratike të mos jetë fituese e zgjedhjeve.
Këtë Gashi e ka thënë në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ku shtoi se Drenica është një regjion i pazhvilluar ku ka nevojë për investime.
“Qytetarët e Kosovës që jetojnë në ato territore, duhet të vendosin vetë se kush i përfaqëson interesat e tyre më së miri. Gjatë vizitave që pata në Drenas, pashë një ndjenjë të ndryshimit dhe ka gjasë që mundësia kësaj here t’i jepet dikujt tjetër. Qytetarët janë të interesuar që ta rrisin kualitetin e jetës atje. Shpresoj që në Drenas të shkohet në balotazh”, është shprehur ai.
Gjatë intervistës, deputeti i LDK-së, ka theksuar disa nga problemet me të cilat përballen qytetarët atje, duke thënë se miti që Drenica është e asfaltuar, është i pavërtetë.
“Drenica ka shumë probleme. Drenica nuk ka rrugë, dhe është e pavërtetë që Drenica është e mbushur me asfalt. Drenica s’ka as qendra të mjekësisë familjare. Ambulanca është e ndërtuar, por ajo është e mbushur me kashtë sepse s’kanë dërguar asnjëherë mjek aty”, ka thënë ai.