Lajmet e fundit

Në kuadër të vizitës që është duke realizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka zhvilluar takime me zyrtarë dhe drejtues të YMCA-së në New Jork.
Ai gjatë kësaj vizite është pritur nga Rayda Marques, drejtoreshë e programeve ndërkombëtare të YMCA-së dhe Julie Galanty drejtoreshë ekzekutive për zhvillimin e rinisë e YMCA-së në New Jork.
Gashi gjatë këtij takimi ka kërkuar mbështetje në zhvillimin e programeve rinore për të rinjtë e Kosovës, me theks të veçantë, ndërtimit të kampit rinor në fshatin Pjetërshtan të Gjakovës. Ministri ka potencuar faktin se ndërtimi i një qendre rinore multi funksionale në Republikën e Kosovës, do t’i hap edhe një perspektivë më të madhe të rinjve të Kosovës.
Në këto takime, ministri i Kulturës ka marrë mbështetje të fuqishme në zbatimin e këtij projekti në Kosovë.
“Përvojat të cilat i kanë vendet e ndryshme të Botës e veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës në avancimin e pozitës së të rinjve janë modeli më i mirë që duhet marrë si model për vendin tonë”, ka thënë ndër të tjera ai, transmeton Klan Kosova.