Tomë Gashi, avokat i Familjes së Astrit Deharit ka thënë se nuk i besojnë raportit të autopsisë, i cili thotë se Dehari ka shkaktuar vetëvrasje.
Gashi thotë se arsye shtesë për të mos i besuar këtij raporti është fakti se ekspertëve privatë të angazhuar nga Familja Dehari nuk u janë dhënë provat e gjetura në proces.
“Kemi kërkuar për më tepër se 11 ditë, që provat t’iu jepen edhe ekspertëve privatë. Flamur Blakaj nuk ka refuzuar asnjëherë që të na i japë provat. Ai ka qenë i pajtimit që t’iu jepen edhe ekspertëve të pavarur, por kryeprokurori dhe prokurori i çështjes nuk kanë lejuar”, ka thënë Gashi në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Është e pakuptimtë se si mund t’i besojmë një raporti të autopsisë kur të gjitha provat nuk iu janë dhënë ekspertëve të pavarur. Unë dhe Familja Dehari, nuk mund të besojmë në atë që u tha sot. Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, më ka thënë se raportin mund ta marrin edhe prindërit e Deharit, por raportin e kam marrë unë si përfaqësues i familjes”.
“Ky raport është i pabesueshëm, sepse ekspertët e pavarur nuk i kanë pasur materialet për të dhënë versionin e tyre”, thotë Gashi, njofton Klan Kosova.
“Kemi një situatë ku është dëshmuar se shishen ia kanë hequr nga goja të burgosurit e tjerë, dhe në anën tjetër del se në atë shishe nuk ka pasur shenja të gishtave të askujt tjetër. Kemi arsye të besojmë se provat janë kontaminuar”.
klankosova.tv
●●●
Shpërndaje këtë artikull
L
SHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.