Lajmet e fundit

Sot, Instituti GAP ka mbajtur konferencë për media ku ka prezantuar të gjeturat e hulumtimit “Adresimi i Përgjegjësisë – Njohuritë e Qytetarëve me kompetencat e Komunave”, njofton kumtesa nga kjo OJQ.
Drejtoresha Ekzekutive në Institutin GAP Nora Latifi - Jashari, tregoi se qëllimi i këtij hulumtimi është matja e njohurive të qytetarëve me kompetencat e nivelit qendror dhe lokal dhe adresimi i përgjegjësive në mes të dy niveleve të qeverisjes.
Zakonisht, gjatë fushatave zgjedhore kandidatët për kryetarë komunash japin premtime për zgjidhjen e problemeve edhe në fushat të cilat nuk bien në kompetencat e komunave. Si për shembull, janë dhënë premtime për zgjidhjen e problemit të energjisë elektrike, hapje te fabrikave, hapje të aeroportit, etj. Pastaj, pas marrjes së mandatit, kryetarët shpesh ankohen se prej tyre po kërkohet më shumë llogari se sa që kanë kompetenca.
Instituti GAP ka zhvilluar një anketë në 38 komuna të Kosovës me 1,000 qytetarë të Kosovës ku popullata e përgjithshme është ndarë në bazë të përkatësisë etnike dhe vendbanimeve. Qytetarët janë pyetur për çështje të ndryshme të shërbimeve publike, si menaxhimin e mbeturinave, furnizimin me ujë të pijshëm, mirëmbajtjen e rrugëve, rritjen e pagave në arsim e shëndetësi, etj. Gjithashtu edhe nga ana e aspektit ligjor, ekziston një ndërthurje dhe konflikt kompetencash në mes të dy niveleve.