Lajmet e fundit

Instituti kosovar për Studime të Avancuara - GAP, ka publikuar analizën e cila është një përmbledhje e informatave të përgjithshme rreth Ligjit të Faljes së Borxheve të iniciuar nga Qeveria e Kosovës, e të aprovuar nga kuvendi.
GAP ka njoftuar se sipas kësaj analize del se institucionet publike nuk kanë qenë të kujdesshme që të mbajnë një regjistër të saktë të borxhlinjve. Po ashtu, se institucionet nuk kanë ndjekur me rregull procedurat ligjore për të paditur qytetarët dhe bizneset borxhlinj. Në këtë formë, analiza konstaton se pjesa më e madhe e borxhit që Qeveria synon të falë, në fakt është borxh i humbur.
Në analizë janë dhënë shifra të shumës që qytetarët e Kosovës ua kanë ndërmarrjeve publike të vendit.
Raporti analitik e ka listuar KEK-un si kompaninë që ka vlerën më të madhe të borxhit, 346,3 milionë euro, ku përfituesit më të mëdhenj të faljes së borxheve janë amvisëritë. Por, në bazë të përgjigjeve të KEK-ut, nga 346 milion euro borxhe, janë ngritur padi për një shumë prej vetëm 60 milion euro. Studimi i Institutit GAP konstaton se pjesa tjetër e borxhit edhe ashtu konsiderohet e humbur në bazë të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve.
GAP ka dhënë edhe numrin e përgjithshëm të borxhit të kosovarëve që nuk paguan për ujë, mbeturina dhe tatim në pronë.
“Borxhi ndaj kompanive rajonale të ujësjellësit është rreth 48 milion euro. Ndërsa, borxhi ndaj kompanive rajonale të mbeturinave (KRM) është rreth 23.4 milion euro. Kurse, borxhi total ndaj ATK-së deri në fund të vitit 2008 është 168.6 milion euro”.