Lajmet e fundit

Furnizimi me ujë është rikthyer pjesërisht në kryeqytetin indian Delhi, ku 10 milionë njerëz u prekën nga kjo mungesë pasi protestues të zemëruar sabotuan një tubacion, transmeton Klan Kosova.
U desh ndërhyrja e ushtrisë që të rimerrej kontrolli i ujësjellësit Munak, pasi protestuesit e komunitetit jak, të zemëruar për shkak të kuotave për punë, morën kontrollin e ujit në kuadër të disa ditëve me protesta të dhunshme.
Pavarësisht se uji po kthehet në Delhi, zyrtarë të qeverisë thanë se kriza nuk ka mbaruar dhe se qytetarët duhet të tregohen të matur në përdorimin e ujit. Megjithatë, shkollat që ishin mbyllur për shkak të mungesës së ujit, tani kanë nisur të hapen.
16 milionë njerëz jetojnë në Delhi dhe 2/3 e tyre furnizohen me ujë nga ujësjellësi Munak që ka tubacione në krahinën Hariana ku dhe ndodhën trazirat. Këtu shtresa e lartë jak përleshet prej ditësh me policinë pasi kërkon kuota pune të barabarta me ato të shtresave më të ulëta.