Lajmet e fundit

Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës është në pritje të aprovimit të amandamenteve kushtetuese, lidhur me procesin e transformimit të saj në Forcë të Armatosur të Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur Ministri Haki Demolli, në konferencën e mbajtur me temën ''FSK dhe Partnerët''.
Demolli tha se qëllimi kryesor i kësaj konference është intensifikimi i bashkëpunimit të Ministrisë që ai drejton në raport me partnerët e saj, përcjellë Klan Kosova.
''Ne po vazhdojmë të punojmë në analizimin e kapaciteteve të së ardhmes dhe ndonëse jemi në pritje të vendimit politik, pra aprovimit të amendamenteve kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës lidhur me procesin e transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur''.
''Po ashtu së bashku me ekipin këshillues të NATO-së kemi punuar në mënyrën më transparente të mundshme në planifikimin dhe përgatitjen e tërësishme për fillimin dhe zhvillimin e këtij procesi tejet të rëndësishëm për vendin tonë, njëhërit dhe njëri prej prioriteteve të Qeverisë së Kosovës'', është shprehur ai, përcjellë Klan Kosova.
Ndërkaq Rrahman Rama, Komandant i FSK-së tha se përgjatë gjithë kësaj periudhe, si forcë e vendit është shënuar arritje pozitive, duke u bazuar në standardet e NATO-s.
''I kemi hartuar planet e veprimet kurdo që merret vendimi politik për transformimin e FSK-së, ne jemi të gatshëm''.
''Askush s’do të bëjë diçka pa koordinim me partnerët tanë. Synim dhe qëllim është që të jemi pjesë e NATO-s. Qëllimi kryesor është që të ngrisim profesionalisht forcën tonë dhe të jemi kontribuues të sigurisë'', ka përfunduar Rama, në konferencën ''FSK me Partnerët'', përcjellë Klan Kosova.