Lajmet e fundit

Një kontingjenti i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës u dislokua për në Republikën e Shqipërisë për të marrë pjesë në ushtrimin fushor “Joint Effort 16”.
Para nisjes për Shqipëri pjesëtarët u rreshtuan në pistën e kazermës “Adem Jashari” në Prishtinë, me ç‘rast për t’i përshëndetur dhe për t’iu uruar suksese gjatë këtij ushtrimi kishte dalë edhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama.
Kontingjenti i FSK-së prej 36 pjesëtarëve do t’i bashkëngjitet një Batalioni të Ushtrisë së Shqipërisë në ushtrimi fushor “Joint Effort 16”, i cili do të realizohet në periudhën kohore 19-29 shtator 2016, ku pritet të marrin pjesë disa shtete.
"Joint Effort 16" që ka karakter ndërkombëtar organizohet nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe do të jetë ushtrim i mbështetur me kompjuter (Simulativ) dhe operacione fushore, dhe do të zhvillohet nga të gjitha komponentët (tokësore, ajrore dhe detare) duke përfshirë pjesën reale dhe atë simulative, transmeton Klan Kosova.