Lajmet e fundit

Si matës i kohës, një vit mund të duket diçka abstrakte. Ne i shënojmë me kujdes muajt dhe ditët, por kur vjen data 31 dhjetor është shumë shpesh e vështirë ta përcaktojmë se çfarë ka ndodhur dhe kur. Truri jonë e ka mënyrën e vet se si e rishkruan kohën, për të turbulluar ngjarjet që nuk duam t’i kujtojmë, ose të ngulisë ato që nuk duam t’i harrojmë.
Ajo çka është më e rëndësishme është se askush nga ne nuk mund të jetë në më shumë se një vend në të njëjtën kohë. Kjo është një nga arsyet pse fotografitë bëhen diçka e paçmuar si një shënim i ngjarjeve dhe eksperiencave që ne i përjetojmë si qytetarë të botës – edhe pse nuk kemi qenë dëshmitarë të tyre.
Kriza e COVID-19 na ka prekur të gjithëve. Por, fotografia e një njeriu puna e të cilit është që të bartë trupat e vdekur nga morgu i stërmbushur i një spitali te një rimorkio me ngrirje sjell në vëmendje vetëm një aspekt të kësaj krize: papritmas, ne kemi lidhje me jetën e përditshme të një njeriu puna e të cilit është që të kujdeset për ata që nuk mund të shpëtoheshin.
Ngjashëm, u shqetësuam kur dëgjuam lajmet për shpërthimin e muajit gusht në Beirut që la shumë të vdekur dhe të lënduar, ashtu sikur edhe la qindra njerëz pa kulm mbi kokë.
Fotografia e një njeriu që e mban në duar mbesën e tij të plagosur të bën që ta ndjesh krejtësisht personale intensitetin e kësaj tragjedie.
Kjo është fuqia që një fotografi e ka.
Edhe pse jetët tona nuk janë prekur nga zjarret vdekjeprurëse në Australi, fotografia e një vullnetari që e ndihmon një koalë që është në ankth forcon përgjegjësinë që ne të gjithë e kemi ndaj planetit Tokë. Dhe vetëm një moment nga marshi “Jetët me ngjyrë vlejnë” (Black Lives Matter) në Brooklyn na e rikujton se protestat plot pasion të 2020-ës nuk janë vetëm një grup i ngjarjeve nga e kaluara – ato paraqesin një sfidë të vazhdueshme.
Këto dhe momente të tjera, të kapura nga fotografët nga e gjithë bota, janë shpallur si fotografitë më të rëndësishme të vitit që po e lëmë pas nga revista prestigjioze TIME's.
Nëse i rishikon këto imazhe, ose nëse i sheh ato për herë të parë, do të thotë ta pranosh jo vetëm ku kemi qenë, por edhe kush jemi.
Këtë pranverë, stafi dhe pacientët e Qendrës Mjekësore “Wyckoff Heights" të Brooklynit e lejuan Meridith Kohut që të dokumentojë realitetin e tyre në vijën e parë të frontit derisa pandemia COVID-19 kishte marrë mijëra jetë të njerëzve në New York.
Ata donin që të paralajmëronin pjesën tjetër të vendit që ta shmangnin fatin e tyre të keq. Më 22 prill, ajo e kapi momentin kur Kyle Edwards po mblidhte fenerë nga brendia e një gjysmë rimorkio që ishte e stërmbushur me kufoma.
“Secila qese e kufomave paraqet shumë dhimbje, vuajtje, jetë të humbura dhe familje të shuara”, ka thënë Kohut e përhumbur që paralajmërimi nuk u mor parasysh.
Në një xhami në Tehran, më 5 janar, gratë iraniane po vajtonin për Qasem Soleimanin i cili u vra në Baghdad.
“Ato ndiheshin të lënduara dhe donin që të hakmerreshin”, ka rikujtuar fotografja Newsha Tavakolian.
Brenda atmosfera ishte e tensionuar.
“Kërkova gjatë se si mund ta kapja në fotografi një moment të tillë derisa e gjeta këtë skenë – një moment të qetë në atë që ishte një vorbull e njerëzve. Një grua duke e ngritur grushtin lart derisa e mbante posterin e Qasem Soleimanit dhe të tjerat që po endeshin përreth në mendimet e tyre”.

“Kur shkova në vendngjarje nuk mund t’iu besoja syve se çfarë po shihja. Unë po fotografoja çdo gjë derisa pashë disa burra që po bartnin dy vajza të plagosura në anën e kundër të portit. E ndoq njërin nga ta derisa arriti te një veturë ushtarake e cila i evaukonte të lënduarit në një spital”, shkrua fotografi Hassan Ammar.
Disa ditë më pas, Ammar u bë shumë kurioz se çfarë kishte ndodhur me këtë vajzë. I mori dy javë kohë, por ai e gjeti familjen. Shpërthimi i kishte shkatërruar. Motra e Hoda, Sedra, ishte vrarë.
“Ajo ditë në Beirut më ndryshoi si njeri dhe si fotograf”.
Më 24 maj, motra e Al Bello telefonoi për t’i treguar se vjehrritë e saj do të vinin për vizitë në New York dhe donin t’i përqafonin të gjithë – një rrobë e varur nga një litar për tharjen e rrobave do të shërbente si një pengesë. Shumë kurreshtar se çfarë ishte kjo, ai shkoi ta shoh vetë.
Pasi Mary Grace Sileo e takoi nipin e saj në “stacionin e përqafimit” nisi të qajë.
Ai fotografoi këto përqafime për rreth 45 minuta përfshirë edhe këtë mes Sileo dhe mbesës së saj Olivia Grant.
Jacquelyn Booth po e vajtonte vdekjen e gjyqtares Justice Ruth Bader Ginsburg në hyrjen e mermertë të Gjykatës Supreme më 26 shtator, derisa mbështetësit konservatorë të gjykatëses Amy Coney Barrett po luteshin tek dyert e kësaj gjykate.
Mijëra vetë marshuan në Washington DC atë ditë në një ngjarje të organizuar nga Franklin Graham disa orë pasi presidenti Donald Trump e emëroi Barret si pasuese të Ginsburg.
“Unë u ula aty për pak kohë duke shikuar se çfarë po ndodh dhe më pas katër gra hypën lart dhe ngritën duart lart. Unë e pashë dorën e saj në fytyrën e saj dhe dualitetin e emocioneve që të gjithë po ndjenin. Ishte vërtëtë prekëse për mua të shihja ndarjet në shtetin tonë dhe se sa thellë ndjejnë njerëzit për besimet e tyre”, ka thënë autorja e kësaj fotografie Erin Schaff.
Hector Retamal, një fotograf i AFP me bazë në Shanghai, shkoi në Wuhan me tren më 23 janar derisa qyteti po futej në bllokim.
“Wuhan ishte shndërruar në qytet fantazmë. Njerëzit dilnin në rrugë vetëm për dy ose tri arsye: për të blerë bukë, për të shkuar në shitore, ose spital”.
Më 30 janar, Retamal po shkonte bashkë me një koleg në spital kur panë një burrë të shtrirë në tokë – vetëm një bllok larg nga një spital tjetër.
“Dy gra po e shihnin pa bërë asgjë. Kur na panë, na bërtitën. Po na thonin që të mos afroheshim më afër. Pas pak kohësh, erdhën disa persona të veshura me rroba mbrojtëse nga koka te kembët. Ata iu afruan burrit, por nuk e prekën. Edhe gazetarët po e shihnin ngjarjen nga larg”, kujton ai.
“Më vonë erdhi ekipi i forenzikës dhe e morën trupin e tij me një qese të verdhë. Hodhën dezinfektues në tokë. Nuk u zbulua nëse ishte viktimë e COVID-19 ose jo”.
Fotografi Peter van Agtmael e ka përcjellë Donald Trump dhe tubimet e tij qysh nga viti 2016 – “një pjesë të fushatës dhe një pjesë të shout”, thotë ai.
“Unë nisa të mësohem disi me sjelljet dhe shprehjet e tij që kishin një lloj konsistence. Edhe brenda spontanitetit dhe lëvizjes së tij të lirë kishte qëllim dhe kontroll”.
Më 4 nëntor, menjëherë pas mesnatës dhe me pritjen që votat që kishin mbetur pa u numëruar (votat me postë dhe votat e hershme) do të ndryshonin rezultatin, van Agtmael hyrni në Dhomën Lindore “shumë, shumë të heshtur” të Shtëpisë së Bardhë “duke kërkuar për çarjet në fasadë” derisa Trump pritej t’iu adresohej amerikanëve.
Në shumë mënyra, presidenti mbajti qëndrimet e tij standarde.
“Por, kishte gjithashtu një tension të qartë, stres dhe zemërim dhe për një moment kur zëvendëspresidenti Mike Pence po fliste, ai humbi kontrollin rigoroz të emocioneve të tij për disa sekonda”.
Ky ishte imazhi i vetëm i “dobësisë” që Peter van Agtmael realizoi atë natë.
Sezoni i zjarreve në Australi vrau ose zhvendosi më shumë se 3 miliardë kafshë. Ndërsa Adam Ferguson më 16 janar po fotografonte një shesh të lojëravë që ishte shkrirë në ishullin Kangaroo, ai e pa një objekt gri në prapavijë.
“Kur u afrova e pashë që ishte një koala”, rikujton ai.
Një vullnetare nga ekipi i shpëtimit e kishte parë dhe u afrua me një shishe ujë.
“Në rrethana normale, koala do të largohej dhe do të ngjitej në pemë, por ishte e stërlodhur dhe e dehidruar derisa vullnetarja u afrua me shishen e ujit të cilën ia hodhi mbi kokë”, ka thënë ai.
George Floyd u vra nga policia në Minneapolis gjatë të hënës. Të premten, Amerika ishte ndryshe.
23 vjeçari Malike Sidibe ishte kurioze të merrte pjesë dhe të fotografonte një proteste në jetën e tij.
Në Brooklyn, më 29 maj, ai pa protestuesit që po shtyheshin me policinë.
Të jesh aty, tha Sidibe, “ma ka ndryshuar mënyrën se si e shoh botën dhe si e shoh veten në këtë botë”.
Më 13 mars, disa javë pasi SHBA-të dhe talebanët nënshkruan një marrëveshje për paqe, fotografi me bazë në Kabul Jim Huylebroek dhe kolegët e tij shfrytëzuan qetësinë e luftimeve për të vizituar kryengritësit në provincën lindore Laghman.
Gjatë rrugës, makina e tyre u ndal në Njësinë e Kuqe Talibane.
“Ata na mirëpritën miqësisht, por ndjehej tension”, ka thënë ai.
Derisa gazetarët po largoheshin, dy fëmijë kaluan rrugën përmes luftëtarëve.
“Për mua, kjo tregon realitetin e ashpër në të cilin po rriten fëmijët”.
KY ARTIKULL ËSHTË PËRKTHYER DHE PËRSHTATUR NË GJUHËN SHQIPE NGA ARTIKULLI ORIGJINAL I TIME’s.