Lajmet e fundit

Tre sulmues vetëvrasës vranë së paku 41 persona mbrëmë në aeroportin Ataturk në Stamboll, e tani një ditë më pas kanë filluar të shfaqen historitë e viktimave të sulmit në aeroport.
Në mesin e atyre që vdiqën në aeroport shumica ishin turq por kishte edhe sauditë, irakianë, tunizian, uzbek, iranian, ukrainas, jordanez dhe kinez, transmeton Klan Kosova.
Një numër i njerëzve që u vranë të martën kishin shkuar në Turqi për t’i takuar të dashuritë e tyre ose për një punë, e një prej tyre ishte edhe Goksel Kurnaz, i cili në Turqi po shkonte për punë.
Kurse Serkan Turk, një i diplomuar në edukatën fizike ishte në aeroport për ta takuar nënën e tij.
Ai u vra pasi i qëllua për të dytën herë, kur po tentonte t’i ndihmonte të tjerët që ishin të plagosur.
Yusuf Haznaedaroglu do të martohej për 10 ditë, ndërsa Gulsen Bahadir sapo kishte fituar një vend të ri të punës dhe vetëm një javë përpara se të vdiste ajo kishte shkruar në Facebook: “Jam pranuar, dëshiroj t’iu falënderoj për gjithçka që kam në jetën time”.
Kurse sot në Facebook miqtë e saj kanë shkruar se çfarë njeriu i mirë ishte ajo.