Lajmet e fundit

Ramiz Lladrovci është kryetari i ri i komunës së Drenasit.
Kjo është fjala e qytetarëve të Drenasit pas shpalljes së rezultatit të balotazhit në këtë komunë.
Rezultatet në uebfaqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tregojnë se Ramiz Lladrovci ka marrë 14.242 vota ose 62,69 % ndërsa kundërkandidati i tij nga Nisma për Kosovën, Isa Xhemajlaj ka arritur të marrë 8.476 vota ose 37,31 %, njofton Klan Kosova.
Balotazhi në komunën e Drenasit erdhi pas rezultatit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të mbajtura më 4 dhjetor ku kandidati Ramiz Lladrovci pati marrë 45,3 % ose 9.458 vota ndërsa Isa Xhemajlaj 26,19 % ose 5642 vota.
Pas këtyre rezultateve, Nisma për Kosovën pati nënshkruar një koalicion me AKR-në dhe kandidatin Elmi Thaçi që kishte mbledhur 1589 vota ose përkthyer në përqindje, 7, 62 % e më pas edhe me kandidatin e pavarur, Xhavit Drenori që kishte 12,62 % ose 2633 vota.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas janë mbajtur pasi Nexhat Demaku që udhëhiqte me këtë komunë për dy mandate, e la detyrën, kur drejtësia e gjeti fajtor në rastin “Drenica 2”.