Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se ka zyrtarizuar edhe formalisht marrëveshjen e mëhershme me përzgjedhësin Franco Foda për të vazhduar bashkëpunimin edhe për 2 vite.
Sipas njoftimit të FFK-së, kontrata që konfirmon qëndrimin e Fodas në krye të ekipit kombëtar është nënshkruar zyrtarisht nga Presidenti Agim Ademi dhe përzgjedhësi Franco Foda, ditën e parë të grumbullimit të ekipit kombëtar në muajin tetor, përkatësisht me datën 6-të, duke formalizuar edhe në mënyrë zyrtare marrëveshjen e arritur paraprakisht.
“Me marrëveshjen e re, Foda do t’i prijë Kombëtares së Kosovës deri në fund të vitit 2027, me mundësi vazhdimi automatikisht në rast të kualifikimit në Kampionatin Evropian të vitit 2028”, u tha në njoftimin e FFK-së.
Franco Foda ka marrë drejtimin e ekipit kombëtar me 17.02.2024 dhe që nga ajo periudhë ka udhëhequr kombëtaren tonë në 17 ndeshje deri tani, duke arritur: 11 fitore, 2 barazime (përfshirë atë me Rumaninë 0:0) dhe ka pësuar 4 humbje. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.