Lajmet e fundit

Përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar të cilët kanë qëndruar në Kosovë nga 23 marsi deri më 5 prill për të kryer rishikimin e dytë të programit ekonomik të Kosovës të mbështetur me Marrëveshje Stand-By kanë vlerësuar se zgjerimi i shpejtë i shpenzimeve që kanë të bëjnë me skema të ndryshme, veçanërisht i beneficioneve të lidhura me luftën, është duke bërë presion gjithnjë më të madh në buxhetin e Kosovës.
"Duke qenë të vëmendshëm për këtë rrezik, autoritetet në konsultim me stafin e FMN-së janë duke përgatitur një pako të masave që kanë për qëllim strukturimin dhe kalibrimin më të mirë të këtyre skemave, duke mbajtur shpenzimet përkatëse të ndërlidhura në 1 deri 1.25 për qind të BPV-së për vit. Kjo do të siguronte që caqet e programit fiskal të vitit 2016 të mbahen brenda kornizës së pranueshme dhe se buxheti i vitit 2017, i cili do të hartohet më vonë gjatë këtij viti, do të jetë në përputhje me rregullën fiskale" ka thënë shefi i misionit të FMN-së për Kosovë, Jacques Miniane pas përmbylljes së vizitës.
Ky mision ka vërejtur se janë bërë përparime të dukshme sa i përket frenimit të shpenzimeve rrjedhëse, si dhe kanë arritur rregullime të dukshme fiskale si dhe e ka vlerësuar si stabil sistemin bankar në Kosovë, transmeton Klan Kosova
" Bankat vazhdojnë të jenë në gjendje të mirë dhe rritja e vitit të kaluar në kreditë e lëshuara ka vazhduar. Është duke u shënuar progres në masat për eliminimin e barrierave strukturore në kredidhënie, avancimin e mbikëqyrjes bankare dhe përcaktimin e kornizës së politikave makroprudenciale. Sistemi i prokurimit publik është fuqizuar. Në të ardhmen, përdorimi i gjithmbarshëm i sistemit të ri është i rëndësishëm për ta bërë prokurimin më transparent dhe shpenzimin publik më efikas" thuhet më tutje në kumtesë, transmeton Klan Kosova .