Lajmet e fundit
“Historia e Florantes dhe Laurës në Mbretërinë e Shqipërisë”. Teksti më i shenjtë i letërsisë së Filipineve, i cili mësohet nga nxënësit e të gjithë shkollave në këtë vend, është shkruar mbi dashurinë e dy të rinjve në Shqipëri.

Me të arrirë në Manila ndien ajrin e ngrohtë dhe klimën tropikale. Nga gjuha Tagalog mund të të zërë veshi ndonjë fjalë në spanjisht e ndonjë tjetër në anglisht si rrjedhojë e viteve të gjata si nën pushtimin spanjoll ashtu edhe nën juridiksionin amerikan.
Fytyra të qeshura dhe sjellje me respekt. Trafik i tmerrshëm por interesant me koloritin e xhipave dhe motoçikletave. Sapo del nga rrugët kryesore sheh pemë dhe gjelbërim pa fund.
Në oborrin e shtëpive gjenden arra kokosi, mango, banane, e shumë pemë tropikale që një europian nuk mund t’ia dijë emrin. Çdo shtëpi ka një dyqan.
Çdo familje shet diçka. Ushqimet duken joshëse dhe kur i provon kupton se sa e pakët dhe e vakët është menyja jonë shqiptare.
Filipinet janë çlodhëse. Njerëzit janë të thjeshtë dhe pa snobizmin europian dhe sidomos atë ballkanas. Që në ditën e parë kuptova që më relaksojnë. Po përse, sepse janë larg vendlindjes?
Jo, sepse nuk mund të gjeja dot as edhe një gjë të vetme që të kishte lidhje me Shqipërinë. Asgjë nuk më bënte të kujtoja qoftë edhe një detaj nga atdheu im.
Mbi të gjitha askush në atë vend nuk e dinte se nga binte Shqipëria, të paktën në hartë, të paktën kështu mendoja unë. Dhe kjo gjë më jepte një paqe të papërshkrueshme.
Kjo ndjesi largësie zgjati vetëm për pak ditë sepse lidhja midis Filipineve dhe Shqipërisë ishte më e hershme se sa unë. Poema më e njohur në Filipine titullohet “Florante at Laura” (Florante dhe Laura) e poetit Francisco Baltazar (1788–1862) i cili mbahet si poeti më i madh filipinas.
Titulli origjinal i kësaj poeme është“Pinagdaanang Buhay ni Florante at ni Laura sa kahariang Albania”. Që do të thotë “Historia e Florantes dhe Laurës në Mbretërinë e Shqipërisë”.
Teksti më i shenjtë i letërsisë së Filipineve, i cili mësohet nga nxënësit e të gjithë shkollave në këtë vend është shkruar mbi dashurinë e dy të rinjve në Shqipëri.
Nën këtë reflektim romantik sigurisht mund të thuhet që provohet thënia se dashuria kapërcen çdo kufi. Historia është mbi Dukë Florante dhe Princeshën Laura të Shqipërisë gjatë periudhës së luftës midis shqiptarëve të krishterë dhe otomanëve.
Historia nis me një pyll të errët dhe të trishtë. Florante është i lidhur në një pemë dhe po lëngon për vdekjen e të atit, Dukë Briseo. Ai po çmendet duke menduar se e dashura e tij, Princeshë Laura ka rënë rob në duart e armikut të tij, Kont Adolfo.
Përreth tij janë dy luanë të uritur që janë gati për ta sulmuar Florante. Por, ai shpëtohet nga Aladini, një princ mysliman që po kalonte në atë pyll. Si fillim Florante e konsideronte armik Aladinin për shkak të besimit të tij mysliman, por më pas i tregon historinë e tij.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni këtu: