Lajmet e fundit

Pas takimeve të paradites në Shqipëri, Raportuesi i Parlamentit Europiani Knut Fleckenstein, përpara mediave, në praninë edhe të ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin, edhe njëherë të fundit përsëriti apelin për të gjetur një zgjidhje kompromisi, qoftë edhe të minutës së fundit, për miratimin e reformës në drejtësi të enjten.
“Shpresojmë dhe presim që të ketë një votë pro. Kjo është koha e të vërtetës. Dua të shoh kush është pro e kush është kundër. Shpresoj që ndryshimi të fillojë nga e enjtja”, tha Fleckenstein.
Fleckenstein e ka edhe një opsion tjetër nëse politika dështon.
“Nëse politika nuk bie dakord, atëherë duhet pyetur populli. Nuk mora asnjë garanci sot gjatë takimeve megjithatë e pashë që ka një vullnet, qoftë edhe për një zgjidhje të minutës së fundit”
Sipas raportuesit të PE-së, mosmiratimi i reformës të enjten në Kuvend do të thotë destabilitet për vendin, por qeveria teknike apo zgjedhje të parakohshme sipas tij, është një zgjidhje që i takon më pas Parlamentit shqiptar.
“Nëse reforma nuk miratohet në Kuvend, atëherë i mbetet Parlamentit të vendosë se çfarë do të ndodhë qoftë për qeveri teknike apo për zgjedhje”, thotë eurodeputeti.
Sinjalet e ndërkombëtarëve kanë qënë të qarta, votë pro, në rast të kundërt Shqipëria me shumë gjasa nuk do të ketë një rekomandim pozitiv vjeshtën e këtij viti për hapjen e negociatave./ Top Channel