Lajmet e fundit

Lëvizja Vetëvendosje,e ka publikuar fjalimin e sotëm të liderit të tyre, Visar Ymeri.
Ymeri këtë fjalim e ka bërë në fillim të seancës parlamentare dhe menjëherë pas përfundimit të fjalimit të tij, opozita ka hedhur gazin lotsjellës.
Më poshtë mund ta lexoni fjalimin e plotë të Ymerit:
“Fjalimi i sotëm i Kryetarit të VETËVENDOSJE!-s, Visar Ymeri
Ka një Lëvizje shoqërore jashtë që insiston në largimin e këtij regjimi. Një lëvizje e qytetarëve sovran, pa bishta. 205 mijë qytetarë të peticionit, qindra mijëra qytetarë të protestave, shoqëria civile, intelektualët, i kanë shpallur “Zajednicën” e demarkacionin të vdekura. Gjykata Kushtetuese e ka shpallur këtë regjim antikushtetutes. Ju qytetarë e keni shpallur këtë regjim jo legjitim, antidemokratik, antirepublikë. Prandaj regjimin Mustafa Thaçi nuk do ta lejojmë të sillet si qeveri e Republikës. Ky regjim sundimtarësh po mundohet ta mbajë veten dhunshëm në këto karrige. Po mundohet dhunshëm ta mbajë shtetin të kapur. Po mundohet dhunshëm të mbajnë seanca për ta vazhduar kapjen e shtetit, deri në majën e tij, deri në Presidencë. Deputetët po i kidnapojnë, arrestojnë e mbajnë burgjeve. Aktivistët po i përndjekin e mbajnë burgjeve, po i rrahin nëpër maune e stacione policore. Fshihen prapa policisë, e keqpërdorin atë duke e ndërsyer kundër popullit, fshihen prapa saj. E gjuajnë gurin dhe nuk kanë guxim ta tregojnë dorën. Kjo qeveri nuk ka qenë kurrë. Ka filluar si regjim dhe përfundoi si regjim. Por ama ky është fundi i saj. Regjim më nuk ka. Këtë duhet ta kuptojnë Isa dhe Hashimi. Këtë duhet ta kuptoni të gjithë ju këtu në sallë. Sepse populli e ka kuptuar këtë shumë më herët se ju”, ka shkruar Ymeri.