Lajmet e fundit

Famullia e Llapushnikut në Drenas është bërë gati për dy mesha, këtë të diel.
Paradite për javoren e rregullt, kurse në mbrëmje për festën e veçantë të Krishtlindjes.
Kjo po shihet si mundësi për besimtarët katolikë për më shumë lutje ndaj Zotit. E kryesorja për famullitarin Don Fran Kolaj, është paqja në gjithë botën, njofton Klan Kosova.
Ky lutet për mbarimin e një lufteje, krejt afër vendit ku lindi Jezu Krishti.
"Uroj që shërbyesi i botës që lindi në Betlehem, ku sot zhvillohet në Gaza një luftë e tmerrshme. Dashuria e tij ti mbush zemra e të gjithë njerëzve, sidomos në këto dy shtete ku zhvillohet lufta, mes Izraelit dhe Gazas dhe invazioni rus në Ukrainë", thotë ai.
Besimtarët thërrasin për tolerancë e dashuri edhe përbrenda shtetit.
"Ta kemi dashurinë mes vete, se askush nuk na e dhuron as imponon, por duhet vetë ta krijojmë dhe ta mbrojmë", thotë Albert Gashi nga Llapushniku.
Festave më së shumti u gëzohen të vegjlit.
"Shumë mirë, jam gëzu shumë, do të festoj shumë me familjen Krishtlindjet", e shpreh gëzimin një vajzë pjesëmarrëse në meshë.
Mesha e Krishtlindjes në kishën e Llapushnikut është planifikuar për ora 21, kurse ceremonia kryesore mbahet në kryeqytet, në katedralen ''Nënë Tereza'', në mesnatë.