17.12.2016 · përditësuar para 3515 dite1 min lexim
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sadri Ferati, e ka cilësuar të papranueshëm ndërtimin e murit në veri.
Ai ka thënë se shqiptarët në këtë rast nuk duhet të tregohen euforikë, pavarësisht mospajtimit me këtë veprim të serbëve të asaj pjese.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Ferati ka thënë se veprimi i Kosovës duhet të jetë institucional.
Ai i ka ftuar pozitën dhe opozitën të mos t’i përçajë ky muri. Sipas Feratit, shumë më e rëndësishme është që shqiptarët njëzëri ta kundërshtojnë ndërtimin e atij muri sesa të tentojnë ta shfrytëzojnë për poenë politikë.
“Kundërshtimet dhe protestat janë diçka që mund të kuptohen. Ajo që nuk mund të kuptohet është se ky muri nuk duhet të shërbejë për akuza brenda shqiptarëve për poenë politikë, sepse kjo nuk çon askund”, ka thënë ai.
“Ne duhet ta dimë, që këtu ka ndodhur një luftë dhe asnjëherë nuk duhet të përçahemi pse serbët ende nuk e pranojnë Republikën e Kosovës, apo pse Beogradi nuk e pranon Republikën e Kosovës, që është diçka faktike”.
klankosova.tv
●●●
Shpërndaje këtë artikull
L
SHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.