Lajmet e fundit

Me rastin e Ditës së Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës, Zyra e UNICEF në Kosovë, Save the Children dhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, organizuan marshin e fëmijëve për të drejtat e tyre.
120 fëmijë filluan marshin nga sheshi "Zahir Pajaziti" deri tek sheshi "Skenderbeu".
Fëmijët bartën me vete pankarta të shtypura me mesazhe adresuar prindërve, qeverisë, deputetëve dhe gjithë shoqërisë mbi promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Mesazhet e tyre ishin: “Politikanë vetëm një punë e keni, na bëni të lumtur”, “Mos merrni vendime për ne, PA NE!”, “A po i rregulloni tekstet, e lehtësoni cantat tona, apo po e leni krejt këtë punë?”, “Ju nuk po e shihni, por dhuna është kudo mes nesh, Na ndihmoni mos ta përjetojmë!”.
Pas marshit, të vegjëlit vazhduan në Kuvend, për të mbajtur një Seancë plenare të drejtuar nga vetë fëmijët, me mesazhin “Fëmijët udhëheqin kuvendin”. Hapja e seancës plenare u bë nga Trina Hoti, Kryesuese nga rradhët e fëmijëve.
Fëmijët u pritën në kuvend nga Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe deputetët.
Atau deklaruan për prioritetet, shqetësime dhe rekomandimet, sikurse rëndësinë e të pasurit Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës; Shëndetin dhe mirëqenien; Arsimi cilësor dhe gjithëpërfshirës; Fëmijët me aftësi të kufizuara; Fëmijët e riatdhesuar; Pjesëmarrjen e fëmijëve në vendimmarrje etj.
Në fund të seancës plenare fëmijët paraqitën dhe votuan rezolutën, ku të njejtën ia dorëzuan Kryetarit të Kuvendit, transmeton Klan Kosova.