Lajmet e fundit

Serbia është duke e përjetuar edicionin më zhgënjyes të Lojërave Olimpike.
Atyre që e quajnë veten “komb sportiv” të gjithë tenistët u janë eliminuar, basketbollistët po humbasin, notuesit dhe shenjëtarët nuk po arrijnë t’i kalojnë kualifikimet.
Përkundër gjithë kësaj tragjedie kombëtare, Kosova e ka fituar medaljen e artë.
Si të hedhësh kripë në plagë të hapur.
Zi e më zi.
Prandaj, mediat serbe janë çuar në këmbë dhe e kanë shndërruar në mision patriotik dëshmimin se Majlinda Kelmendi nuk e ka fituar medaljen me meritë, njofton Klan Kosova.
Me tituj mashtrues dhe popullsitë po i japin shpresë të kotë opinionit.
Për fatin e tyre të keq, sot u ka ardhur përgjigja zyrtare nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos, e cila e qartëson gjithë këtë skandal të kotë.
Gazeta beogradase Blic, e cila ka qenë kryesorja në entuziazmin anti-Majlindë i ka dërguar letër Federatës Ndërkombëtare të Xhudos duke e pyetur nëse do të merren masa ndëshkuese ndaj kampiones olimpike.
Kjo është përgjigja e Presidentit të Federatës së Xhudos, Marius Vizer.
“Testimi i paparalajmëruar për doping është organizuar më 16 qershor 2016, në kampin trajnues Saint Cyprien, në Francë".
"Kontrollorja e kishte listën me emrat e sportistëve francezë që gjendeshin aty, prandaj ishte befasuar kur i kishte parë xhudistët e huaj".
"Ajo kishte vendosur që t’i testonte edhe të huajt, duke iu kërkuar rezultatet e tyre në xhudo për t’i testuar sportistët më të mirë në botë”.
"Trajnerët e disa reprezentacioneve kanë qenë të befasuar procedurën e këtij kontrolli dhe kanë kërkuar këshillë nga specialistja e Federatës Botërore të Xhudos për çështjet e kontrollit anti-doping".
"Specialistja iu ka thënë trajnerëve se nuk janë të obliguar t’i detyrojnë sportistët që ta pranojnë testimin në kushte të tilla".
"Disa sportistë i kanë dhënë mostrat, e disa jo, siç ishte rasti me Majlinda Kelmendin dhe gjermanen Martyna Trajdos".
"Kur presidenti i Federatës Marius Vizer është informuar për këtë rast, ai ka marrë vendim që të gjithë sportistët të cilët nuk kanë pranuar të testohen ta bëjnë këtë javën e ardhshme".
"Ky testim është bërë dhe të gjitha rezultatet kanë dalë negative (nuk ka pasur doping)".
"Procedura e tashme (nga ana e agjencisë franceze anti-doping) është iniciuar vetëm kundër Majlinda Kelmendit, kurse sportistët tjerë nuk janë informuar nëse edhe ndaj tyre është duke u zhvilluar një procedurë e ngjashme".
"Shpresojmë se procedura do t’i respektojë të drejtat e sportistëve”.