Lajmet e fundit

Analisti politik Faton Abdullahu e vlerëson të brishtë Qeverinë Hoti, meqë sipas tij ka vetëm 61 deputetë të cilët e votuan.
Por sipas Abdullahut, Qeverinë Hoti e vë në përparësi çështja e dialogut që për dallim nga Qeveria Kurti, ka potencuar se do ta fus në agjendën e Washingtonit zyrtar, njofton Klan Kosova.
''Ka një përparësi të Qeverisë Hoti kur e vë në raport të Qeverisë Kurti sa i përket këtij dimensioni, pra dialogut me Serbinë''.
''Me Qeverinë Kurti, kemi pasur një lloj përjashtimi, dyshimi edhe paragjykimi sa i përket SHBA-ve, me një fjalor jo të pranueshëm, të huaj për mentalitetin tonë''.
''Dhe kjo kur vihet në raport me punën dhe atë se çka thotë tani Qeveria Hoti dhe LDK, është një përparësi se do ta rivendos çështjen e Kosovës në agjendën e Washingtonit zyrtar''.
''Por, kjo Qeveri ka 61 vota se nuk ka më shumë''.
''Shumica shqiptare do të mbetet jashtë, Hoti mund të thotë çfarëdo, por Qeveria Hoti tani për tani është e hutuar ngase është bërë ‘ad-hock’''.
Por ai në Info Magazine thekson që për të pasur efekt kjo Qeveri e kryesuar nga Avdullah Hoti i LDK-së, duhet ndihmë edhe nga faktori ndërkombëtar, njofton Klan Kosova.
''Që të mos jetë kjo Qeveri Koti duhet me patjetër ndihmë shumë e madhe e SHBA-ve, e BE-së, bile edhe e opozitës''.
''Në këtë aspekt suportin e ka pasur çdo Qeveri. Kjo është rutinë normale diplomatike''.
''LDK ka qenë pjesë edhe e bartë përgjegjësinë edhe fajin edhe për dështimet që janë bërë në Qeverinë Kurti. Nuk mund të tërhiqet e të thotë unë isha bashkëpunëtor por fajin e pati veç Vetëvendosje''.
''Në Qeverinë Hoti do të jetë pengesë sikurse ka qenë edhe më herët edhe Lista Serbe, dhe do të jetë me ndikim të madh''.
''Fakti që kjo Qeveri do të hyjë në dialog me Serbinë, kurse Lista Serbe ka rol krucial që ta mbajë Qeverinë në këmbë e bënë shumë të vështirë, shumë të brishtë qeverinë si qeverisje por shumë të brishtë edhe në raport me dialogun me Serbinë''.
Abdullahu gjithashtu komentoi edhe reflektimet e Vetëvendosjes, që sipas tij e ka lënë më vonë të reagojë ndaj ekzekutivit të Avdullah Hotit.
''Me sa e kam kuptuar unë, është lënë të reagohet më vonë ndaj kësaj qeverie''.
''Ndoshta është përpjekje për të lënë përshtypje se dijnë të bëjnë edhe ndryshe politikë. Por ndoshta është lënë edhe për më vonë, që të lënë ta kapin dikund Qeverinë Hoti''.
Sa i përket çështjes së vetingut, analisti politik thotë se duhet të priten veprimet e Qeverisë së re, e më pas të vlerësohet, njofton Klan Kosova.
''Vetingu është i rëndësishëm, por është e brishtë Qeveria''.
''Ne duhet të presim dhe të shohim, por ajo çfarë mund të them sot se për vetingun kjo Qeveri e brishtë, nuk ma mbush syrin''.