Lajmet e fundit

Farmacistët shprehen të revoltuar lidhur me ndryshimet e kryera në Statutin e Urdhrit, ku një ndër pikat që lidhet me të drejtën e ushtrimit të profesionit të drejtuesit teknik, diskrimon ata që mbushin moshën e pensionit dhe që nuk janë të vetëpunësuar, ndërsa ata që kanë biznesin e tyre lejohet ta ushtrojnë këtë profesion.
Kjo pikë e nenit 19 të ndryshimeve të bëra në statut prek një numër të konsiderueshëm faramcistësh dhe hyn në fuqi në 1 korrik 2015, çka i detyron ata të lënë vendin e punës.
Janë të shumtë farmacistët që ankohen në lidhje me ndryshimet në statut, por nuk preferojnë të flasin me kamera. Ata thonë se Këshilli Kombëtar i Urdhrit as nuk është konsultuar me ta dhe se i ka njoftuar vetëm nëpërmjet faqes zyrtare të Urdhrit, transmeton Top Channel.
Ndërkohë që nëpërmjet ankesave me shkrim, një grup farmacistësh i janë drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë. Nga ana tjetër, edhe përfaqësuesi i ministrisë në Këshillin Kombëtar të Urdhrit nuk është thirrur në këtë mbledhje, kur janë vendosur ndryshimet.
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj sqaron se në plan të parë ndryshimet në statut kanë kapërcyer ligjin e barnave, i cili ka të shprehur qartë kriteret e drejtuesit teknik.
Pasi të jetë shqyrtuar me detaje do t'i kërkohet Këshillit Kombëtar të Urdhirt të rishikojë vendimin e tij.