Lajmet e fundit

Materialet për mësim në distancë, të quajtura e-mësimi , kohëve të fundit po gjenden në dy platforma në Youtube.
Në fakt, njëra po del të jetë origjinale e tjetra false.
Dallimi mes këtyre platformave është se në të dytën, përveç video-materialeve mësimore të prodhuara nga mësimdhënësit kosovarë, ka edhe materiale tjera, kryesisht nga politika.
Në të tilla po hasin edhe prindërit të cilët po shprehin shqetësimin e tyre lidhur me këtë dukuri.
Për platformën që nuk është zyrtarja e Ministrisë së Arsimit, drejtori i shkollës “Dardania” në Prishtinë, Isak Bregaj, po konsideron se është bërë nga përfitues të caktuar.
Në anën tjetër, mësimdhënësit po kërkojnë që Ministria e Arsimit të merret me këtë rast, sepse materialet e vëna në platformë nuk janë në dobi të nxënësve.
Ndërkaq, në Ministrinë e Arsimit nuk janë në dijeni për ekzistencën e një platforme që po keqpërdorë materialet e saj.
Klan Kosova ka kërkuar përgjigje nga ministria që drejton Ramë Likaj qysh nga fundi i javës së kaluar, por një e tillë nuk është vënë në dispozicion të televizionit.
Ndryshe, kanali i vërtetë zyrtar, ku nxënësit mund të gjejnë materialet e tyre për mësim, është qasja përmes uebfaqes së ministrisë.