Lajmet e fundit
105-vjetori i lindjes së Nënë Terezës, harrohet në Tiranë, asnjë aktivitet nuk u shënua në këtë ditë.

Shkruan Don Lush Gjergji:
Kolë apo Nikollë Bojaxhiu ka lindur në Prizren në vitin 1873, tre vjet pas hapjes kremtore dhe bekimit të katedrales “Zoja Ndihmëtare” dhe pesë vjet para Lidhjes së Prizrenit. Ishte pagëzuar në të njëjtën katedrale. Prindërit e tij ishin Lazër Bojaxhiu, prizrenas, dhe Cecilia /Çilja/ Bojaxhiu, me prejardhje shkodrane.
“Sipas dokumenteve të gjetura në famullinë e Prizrenit e që kanë të bëjnë me organizimin dhe punën e kompanive kishtare, rezulton se Mark Bojaxhiu (Bojagia) i ka pasur dy djem. Njëri quhej Nrec (Nrekë), ndërsa tjetri quhej Lazër. Lazri pastaj ka pasur një djalë dhe ai ishte Kola (babai i Nënës Tereze) dhe një vajzë e cila quhej Marija Bojaxhiu, halla e Nënës Tereze, e që ishte gjyshja e monsinjor Nikollë Minit. Ndrekë Bojaxhiu e ka pasur po ashtu një djalë i cili quhej Tomë Bojaxhiu” (Pjetër Përgjoka, Frymëzimi për jetën dhe veprën, Shpresa, 2003, fq. 97).
Në arkivin e famullisë “Zoja Ndihmëtare” në Prizren është gjetur në vitin 2010 dokumenti dhe testamenti i Lazër Bojaxhiut, gjyshit të Nënës Tereze, birit të Mark Bojaxhiut, në të cilin ai në emër të familjes shkruante kështu: “Shtëpitë, tokën dhe fondet të vendosura në qytetin e Prizrenit si dhe jashtë, si të mirat e patundshme, po ashtu edhe ato të tundshme, të cilat në emër tim, si pronë e blerë apo pronë e imja, të shënuara në regjistër të zyret publike, ashtu edhe në marrëveshjet private… nuk janë më pronë e ime, por i përkasin Arqipeshkvit katolik, Kishës Katolike të Prizrenit, të cilët janë pronarët e vërtetë dhe real i të mirave të lartpërmendura…”. (Prizren, 23 janar 1880).
Kolë Bojaxhiu dallohej për shumë veprimtari kulturore, shoqërore, tregtare dhe politike, si p.sh. ndërtuesi i Teatrit të Shkupit, një ndër ndërtuesit dhe financuesit e hekurudhës që lidhte Shkupin me Kosovën, sidomos në grykën e Kaçanikut, i vetmi këshilltar komunal shqiptar dhe katolik i Shkupit, themeluesi dhe financuesi i orkestrës frymore “Zani i Maleve”, e cila defilonte nëpër rrugët e Shkupit me rastin e çlirimit nga perandoria turko-otomane duke kënduar, duke vallëzuar për fitoren e madhe dhe çmimin e lartë të lirisë.
Ai po ashtu ishte përkrahës i flaktë i luftës për liri dhe pavarësi nga sundimi shekullor turko-otoman, njeri që përkrahte shkollimin, arsimimin dhe qytetërimin e fëmijëve të vet dhe të tjerëve, bamirës i rrallë dhe shumë i dalluar për të varfër, sidomos për Kishën Katolike dhe veprimtaritë e saj bamirëse.
Këto veprimtari, veçmas mbrojtja e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Mbretërinë Serbo-kroato-sllovene ose Jugosllavinë e parë apo të vjetër, i pagoi edhe me jetë.
Për ta falënderuar për ndihmën dhe përkrahjen e luftës për çlirim nga sundimi turko-otoman shekullor, ia edhe kujtimi i Lazrit për këtë ngjarje: “Më 28 Nëntor 1912, krerët e fiseve të Berishës, Logorecit, Palucajt dhe Naracajt, bashkë me të tjerët, u tubuan për të kremtuar pavarësinë e Shqipërisë. Aty ishte edhe Bajram Curri, patriot i njohur që luftonte kundër turkut, Hasan Prishtina, Sabri Qytezi dhe shumë të tjerë… Baba Kolë i ndihmonte patriotët materialisht, bisedonte me ta dhe u jepte këshilla dhe mendime. Ne kishim shumë fotografi të këtyre burrave. Im atë merrej shumë me politikë…” /Don Lush Gjergji, Nëna e Dashurisë, DRITA, 2010, fq. 41.
Këtë pjesëmarrje të Bajram Currit, Hasan Prishtinës, Sabri Qytezit dhe të tjerëve në festën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në familjen e Kolë Bojaxhiut, përpos Lazër Bojaxhiut, Lorenc Antonit, e dëshmojnë dhe vërtetojnë edhe shumë burime tjera, kryesisht gojore, kujtime personale dhe familjare nga Shkupi dhe Tirana.
Pyetja kryesore që shtrohet nuk është më vërtetësia e kësaj ngjarjeje, por lidhjet dhe ndërlidhjet mes personaliteteve të spikatura patriotike dhe luftarake dhe familjes së Kolë Bojaxhiut.
Ja, pra, disa shqyrtime dhe sqarime që na ndihmojnë për ta kuptuar më mirë dhe më saktë këtë lidhje dhe bashkëpunim. Pika e parë pa dyshim është kjo: Kolë Bojaxhiu ishte një atdhetar i madh dhe i devotshëm shqiptar dhe katolik, kishte dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për kultivimin, mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, të shkollës shqipe, që ai e kishte përkrahur me mish e shpirt dhe e kishte financuar, sidomos atë pranë famullisë së “Zemrës së Krishtit” në Shkup.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni më poshtë:
http://gazeta-shqip.com/lajme/2015/08/28/familja-bojaxhiu-dhe-pavaresia-e-shqiperise/