Lajmet e fundit

Komuna e Prishtinës njofton se në disa shkolla të kryeqytetit është duke u punuar në përmirësimin e terreneve sportive dhe rregullimin e oborreve të shkollave.
Drejtoria e Arsimit ka ndarë 200 mijë euro për projektin që do të mundësojnë kushte më të mira që nxënësit të merren me aktivitete sportive, mirëpo njëkohësisht të kenë edhe hapësira më atraktive dhe moderne në shkollat ku ata mësojnë.
Njëra ndër shkollat e shumta në të cilat do të investohet gjatë këtij vitit, është edhe shkolla “Faik Konica” ku aktualisht janë duke u rregulluar terrenet sportive.
Drejtoresha e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se këto projekte janë duke u realizuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Urbanizmit të cilët kanë bërë projektimin e këtyre hapësirave në shkolla.
Ajo, gjithashtu, tha se sporti është një prej gjërave më të rëndësishme për zhvillimin e një fëmije dhe në të ardhmen drejtoria me të cilën udhëheq do të angazhohet që të ketë sa më shumë aktivitete rekreative dhe sportive nëpër shkolla.