Përfaqësuesja e Kosovës në futboll do ta zhvillojë sonte, e hënë, ndeshjen e parë historike për kualifikimet e Rusia2018 kundër Finlandës në Turku me fillim në orën 20:45, njofton Klan Kosova.
Mediat botërore, sidomos ato angleze, i kanë dhënë një hapësirë të madhe ballafaqimit të parë të Kosovës, duke mos hezituar ta quajnë edhe si ngjarja më e rëndësishme e futbollit ballkanik këto vitet e fundit.
The Guardian, që ka vizituar kampion kosovar në Finlandë, shkruan se stërvitjet para ndeshjes “janë kalkuluar me kujdes të shtuar”.
Por, krahas lajmit për ndeshjen është komentuar edhe situata e komplikuar e lojtarëve kosovarë që presin konfirmimet nga FIFA për t’u bërë edhe ligjërisht pjesë e përfaqësueses.
Në një intervistë ekskluzive për ekipin e Klan Kosovës që po përcjellë hap pas hapi përfaqësuesen edhe në Finlandë, trajneri Albert Bunjaki, ka treguar se vendimi final nga FIFA do kumtohet në orën 15:00, vetëm 420 minuta para ndeshjes.
“Nesër në ora 15:00 do ta marrim listën finale për lojtarët dhe do ta kuptojmë se cilët lejohen të luajnë”, ka thënë Bunjaki.
Ai ka deklaruar se është optimist për përgjigjen.
“Besoj se do të kemi një vendim pozitiv, përndryshe do të dëmtoheshim shumë”.
“Edhe dorëzimi për listën përfundimtare me emra është shtyrë dhe kjo është shenjë pozitive”.
Bunjaki edhe ka arsye për të qenë optimist. Klan Kosova ka mësuar nga burime shumë të rëndësishme brenda përfaqësueses se tre lojtarëve, nga gjashtë sa po presin vendimin, tashmë u është konfirmuar se do kenë përgjigje pozitive.
Amir Rrahmani, Valon Berisha, Alban Meha, Herolind Shala, Milot Rashica dhe Samir Ujkani janë yjet që përfundimisht të hënën pas mesdite marrin vesh nëse do veshin fanellën e katërt sonte, apo u duhet të presin edhe ca.
Madje për këtë situatë zërin ka ngritur edhe homologu finlandez i Bunjakit, Hans Backe.
Ai e ka emëruar situatën si “katastrofë totale nga FIFA”, duke deklaruar se kjo çështje është dashur të zgjidhje kohë ma parë.
Sikur të mos mjaftonin këto probleme, Albert Bunjakit, i ka dalë edhe një, i një natyre tjetër.
Një ekip me plotë sulmues dhe në moshë të re, Bunjaki po heqë shumë të mbajë disiplinën në skuadër.
“Kemi pasur një problem të madh në ushtrime. Qëllimi i ushtrimit ishte mbrojtja, por ata e zhvendosen tërësisht më sulm, sulm dhe vetëm sulm. Ishte sikur të kisha në skuadër 23 sulmues”.
“Në mbrëmje pas darke u kam lënë një shënim në tabelë; ‘A jeni të lumtur me çfarë bëtë sot?’. Nuk po krijojnë konkurrencë në mes vete. Të gjithë po provojnë të bëhen Ronaldo e Messi”, është shprehur i Mllefosur Bunjaki.
Ronaldo a Messi me siguri se gjatë ushtrimeve ka provuar të bëhet top-ylli i Kosovës, Milot Rashica.
Klan Kosova ka bërë një intervistë me futbollistin vetëm një ditë para ndeshjes – në të cilën Rashica mund të mos luajë – dhe ai është shprehur me tone optimizmi për ballafaqimin.
Rashica është i vetëdijshme për procesin e komplikuar të legjitimimit nga FIFA dhe ende ka dyshime nëse do të mund të luajë, por është më i sigurt se kurrë që duke zgjedhur Kosovën mbi Shqipërinë bëri zgjedhjen e duhur.
Duke i folur mikrofonit të Klanit, Rashica risiguroi edhe një herë të gjithë se vazhdon të ndjehet shumë krenar që zgjodhi ta veshë fanellën e kaltër, përkundër asaj kuqezi, përkundër se pati një aventurë të shkurtër me të.
Pos Rashicës, sytë janë edhe nga produkti i Manchester City-it, sulmuesi Bersant Celina, i cili këtë vit është huazuar tek FC Twente, për t’u pjekur edhe më si lojtar.
Pos topit, në këmbët e tij sonte janë edhe shpresat e shumë kosovarëve.
Gjithësi, njëmbëdhjeta e parë ende nuk dihet dhe Bunjakit i ka mbetur edhe pak kohë për ta kalkuluar vendosjen në fushë.
Pas Finlandës, Kosova luan kundër Kroacisë në Shkodër, sepse përkundër ekipit të gatshme, gati nuk kemi stadiume në Kosovë, ende.
Më pas Kosova, si pjesë e Grupit I, do ballafaqohet edhe me ekipet e forta të Turqisë, Ukrainës e Islandës.
Gjithsesi, cilado që do të jetë përformanca në këtë kampanjë të parë, ajo do të mbahet mend, nëse për asgjë tjetër, se ishte e para.
klankosova.tv