Lajmet e fundit

Estonia mbështet fuqishëm agjendën evropiane të Kosovës.
Kjo u bë e ditur në një takim mes zëvendësministrit të Integrimit Evropian, Ramadan Ilazi me një delegacion me zyrtarë të lartë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Estonisë të kryesuar nga Mart Laanemae, nënsekretarë për Marrëdhënie Evropiane dhe Transatlantike në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Estonisë.
Gjatë këtij takimi u diskutua për agjendën evropiane të Kosovës e në mënyrë të veçantë për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) si dhe për procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët.
Ilazi falënderoi delegacionin për përkrahjen e vazhdueshme që Estonia i ka ofruar Kosovës si dhe e vlerësoi bashkëpunimin bilateral ndërmjet dy vendeve, transmeton Klan Kosova.
Më tej i informoi për angazhimin e institucioneve në drejtim të përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave duke theksuar se Kosova ndodhet në një fazë vendimtare sa i përket këtij procesi pasi ka përmbushur kriteret e përcaktuara.
Po ashtu zëvendësministri Ilazi, nënvizoi se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për zbatimin e MSA-së brenda afateve të përcaktuara.
Ndërkaq nënsekretari për Marrëdhënie Evropiane dhe Transatlantike në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Estonisë, rikonfirmoi mbështetjen e shtetit të tij ndaj agjendës evropiane të Kosovës përfshirë edhe procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët.