Lajmet e fundit

Gjatë ditës së djeshme është zyrtarizuar marrëveshja për fillimin e implementimit të sistemit eShkollori në Amerikë mes Illyrian ShPK dhe Texas Education Initiative.
Kjo marrëveshje që arrin vlerën e mbi një miliard dollarë parasheh që shërbimet e kësaj platforme të ofrohen për të gjitha shkollat publike në ShBA duke filluar në Texas, njofton Klankosova.tv.
"Faleminderit të gjithë përkrahësve në Kosovë, ekipa Illyrian dhe në veçanti komuniteti shqiptaro-amerikan i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në këtë proces. Vlerësojmë lartë prezencën e zëvendësambasadorit Bujar Maxhuni dhe përkrahjen nga Ambasada e Kosovës në Washington DC" thuhet në njoftimin e Illyrian.
Platforma eShkollori është platformë kosovare e zhvilluar për digjitalizimin e sistemit edukativo-arsimor për nivelet e shkollimit nga klasa e 1-rë deri në klasën e 12-të.
Kjo platformë digjitalizon administratën e shkollave, sistemin e mësimdhënies dhe mësimnxënies, sistemin e raportimit dhe vlerësimit të nxënësve, sistemin e komunikimit në mes të prindërve, nxënësve dhe institucioneve shkollore, menaxhimin e personelit të shkollave etj.