Lajmet e fundit

Drejtori i përgjithshëm i AAC-së, Eset Berisha, së bashku me përfaqësues të institucioneve aeronautike dhe bashkëpunëtorë, priti dje në një takim delegacionin e lartë të zyrtarëve për siguri të transportit ajror të Agjencisë Evropiane për Siguri të Aviacionit dhe të drejtorive përkatëse të Komisionit Evropian. Misioni i këtij delegacioni është të verifikojë nivelin e përmbushjes së obligimeve të Republikës së Kosovës ndaj fazës së Marrëveshjes për Hapësirën e Përbashkët Evropiane të Aviacionit (ECAA) në fushën e sigurisë së aviacionit civil dhe rregullimit ekonomik.
Me këtë rast, Berisha mbajti një fjalim rasti dhe i prezantoi të arriturat e AAC-së gjatë vitit të kaluar, me theks të veçantë në aktivitetet e ndërmarra për normalizimin sa më të shpejt të hapësirës së ultë ajrore me autoritetet e NATO-s dhe KFOR-it, ndërsa ofroi shpjegime edhe për nënshkrimin e letrës së interesit me kompaninë gjermane Lufthansa në fillim të këtij viti, me të cilën është hapur korridori ajror verior.
Delegacioni evropian do të vizitojë të gjitha institucionet aeronautike të vendit tonë deri me datën 14 shkurt, përfshirë këtu AAC, MIA, MPB dhe KHAIA. Pas kësaj pritet të lëshohet një raport vlerësues për nivelin e zbatimit të marrëveshjes ECAA nga institucionet aeronautike të Republikës së Kosovës.