Lajmet e fundit

Zëvendësndihmëssekretari i Shtetit të SHBA-së për çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, po qëndron për vizitë në Tiranë, ku edhe u takua me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.
Basha, pas takimit me Escobarin, ka folur për luftën kundër korrupsionit, për të cilën tha se lufta ndaj saj është e trajtuar si një interes kombëtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe si një interes Kombëtar i Shqipërisë.
Në këtë adresim për media, Basha u pyet edhe lidhur me atë se a solli Escobar prova kundër ish-kryeministrit Sali Berisha për shpalljen “non grata” në SHBA.
Në takimin me Escobarin është diskutuar lidhur me çështjet e aktualitetit politik shqiptar dhe për rajonin.
Basha ka thënë se e ka bërë të qartë edhe qëndrimin e Partisë Demokratike për pacenueshmërinë e integritetit territorial të Kosovës dhe për ecjen përpara të Shqipërisë në rrugën e reformave, ku kyç mbetet një drejtësi e pavarur, i cili nuk i mbron, por i ndëshkon politikanët e korruptuar.
"Ia bëra të qartë Escobar, qëndrimin e PD-së për pacenueshmërinë e integritetit territorial të Kosovës. Me Escobarin, diskutuam për të gjitha çështjet e aktualitetit politik shqiptar, natyrisht edhe për situatën në rajon, me theks të veçantë, sigurisht për ato çështje që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve dhe në veçanti me Kosovën, ku ia bëra të qartë Escobarit qëndrimin e Partisë Demokratike për pacenueshmërinë e integritetit territorial të Kosovës".
"Në përputhje me përkushtimet e ndërmarra sipas paketës Ahtisari që çojnë në pavarësinë e Kosovës dhe në përputhje me angazhimet që të gjithë shtetet që e kanë njohur Kosovën kanë në raport me integritetin territorial të saj. Jam i kënaqur t’ju raportoj se në këtë qëndrim që paraqita, kam marrë mbështetjen dhe mirëkuptimin e plotë të zotit Escobar. Diskutuam edhe për ecjen përpara të Shqipërisë në rrugën e reformave, ku kyç mbetet një drejtësi e pavarur që nuk i mbron, por i ndëshkon politikanët e korruptuar", u shpreh Basha.
I pyetur për shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, në SHBA, Basha tha se temë diskutimi ka qenë edhe çështja e pandëshkueshmërisë sikundër politikat e sanksioneve "non grata", por që për vendimet e Departamentit të Shtetit do të flasë vetë Escobar.
"Padiskutim që çështja e pandëshkueshmërisë, sikundër politikat e sanksioneve “non grata”, ishin pjesë e diskutimit, ndërsa sa u përket çështjeve që u takojnë vendimeve të Departamentit të Shtetit, jam i bindur që do të keni mundësinë të dëgjoni drejtpërsëdrejti nga Escobari qëndrimet e Departamentit Amerikan të Shtetit", tha Basha.