Lajmet e fundit

Presidenti turk Tayyip Erdogan i ka shkruar liderit rus Vladimir Putin për të kërkuar falje për rrëzimin e avionit rus, nëntorin e vitit të kaluar në kufirin turko-sirian, transmeton Klan Kosova.
Mesazhi mban firmën e vetë presidentit turk, Recep Taip Erdogan dhe përmbajtja e tij është bërë publike nga një zëdhënës i Presidentit Putin.
“Presidenti Erdogan i ka dërguar një mesazh Presidentit Putin ku shpreh simpatinë dhe ngushëllimet më të thella për familjen e tij”, tha zëdhënësi.
Turqia refuzoi të kërkonte ndjesë pas incidentit të muajit nëntor, kur avionët e saj rrëzuan avionin rus. Ankaraja u mbrojt duke deklaruar se avioni kishte shkelur hapësirën e saj ajrore, ndërsa Moska këmbëngul se avioni u rrëzua në hapësirën siriane.
Rusia iu kundërpërgjigj kokëfortësisë së Turqisë për të mos kërkuar ndjesë duke vendosur sanksione që prekën edhe paketat turistike të rusëve, që vitet e fundit janë vizitorët më të rregullt të brigjeve turke.
Putin deklaroi në kohën e vendosjes së sanksioneve se ato do të hiqeshin vetëm në rast të ndjesës turke për incidentin në fjalë.