Lajmet e fundit

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës për siç thuhet në reagim integritetin e kontestuar të procesit të emërimit të Kryeprokurorëve në Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
IKD kërkon që të shfrytëzohen të gjitha mjetet juridike nga palët në këtë proces që të ndjekin rrugët ligjore për të kthyer mundësinë e zhvillimit të një procesi me integritet për zgjedhjen e Kryeprokurorëve në PSRK dhe PTH në Prishtinë.
Ky institut vlerëson se ky proces nuk i plotëson standardet e kërkuara për të siguruar një proces të emërimit të bazuar sipas meritokracisë, publicitetit, respektimit të procedurës së pavarur të ankesave që ndikon në mungesën e besimit të publikut për një proces të drejtë, pavarur dhe të paanshëm.
IKD thekson në reagim se prej fillimit është angazhuar në monitorimin e këtij procesi dhe në ofrimin e ndihmës përmes ekspertizës pro bono për Këshillin Prokurorial të Kosovës, duke ofruar vërejtje, komente dhe rekomandime konkrete për procesin e hartimit të Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës. IKD publikisht ka përshëndetur qasjen dhe bashkëpunimin e ofruar nga KPK lidhur me procesin e hartimit dhe miratimit të kësaj Rregullore, i cili proces kishte kaluar përmes konsultimit dhe debatit publik, duke përfunduar me miratimin e saj në mbledhjen e KPK-së më 1 gusht 2019.
Instituti i Kosovës për Drejtësi kërkon që të shfrytëzohen të gjitha mjetet juridike nga palët në këtë proces që të ndjekin rrugët ligjore për të kthyer mundësinë e zhvillimit të një procesi me integritet për zgjedhjen e Kryeprokurorëve në Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe atë Themelore në Prishtinë.