Lajmet e fundit
Ballkani kufitar i Bashkimit Europian, shteg eksodi i rrahur jo vetëm nga të ikurit nga dhuna e terrori në Lindjen e Mesme, por edhe nga vendësit, në kërkim të një jete më të mirë në Gjermani e gjetiu.

Qëkur Maqedonia shpalli gjendje të jashtëzakonshme në kufij, në fund të gushtit, “Shtegu ballkanik” është bërë i njohur.
Mbi 3,000 refugjatë, shumica nga vendet e Lindjes së Mesme, arrijnë në vendet e vogla të Europës Juglindore çdo ditë. Po aq kalojnë kufirin Serbi – Hungari, shumica me shpresë që të arrijnë në Gjermani, shkruan BBC, transmeton Klan Kosova.
Gjithë kjo lëvizje ka bërë që të zbehet një tjetër eksod – jo përmes Ballkanit, por i vetë ballkanasve. Në shtatë muajt e parë të 2015-ës, Gjermania pranoi mbi 200,000 kërkesa azili. Më shumë se katër në dhjetë nga to ishin nga qytetarë të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
BBC në artikullin e saj për eksodin ballkanik shkruan se rreth 30,000 prej tyre ishin qytetarë të Shqipërisë dhe gati aq nga kosovarët. Siria është vendi i vetëm me më shumë aplikues. Kjo paraqet një rritje të madhe të numrit të tyre, pasi në vitin 2008 vetëm 8,000 shqiptarë patën kërkuar azil në Gjermani.
Në vitet e 90-ta, dhuna, lufta dhe dëbimi masiv ishin shkaqet e një eksodi biblik të shqiptarëe të Kosovës. Por, tani gjithçka është ndryshe.
Ngjashëm me ta, edhe shqiptarët e Shqipërisë patën ikur nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës. Tani Shqipëria është një vend demokratik, që synon anëtarësimin në Bashkimi Europian dhe për kryeministër ka një artist - Edi Rama.
Kosova dhe Shqipëria kanë shumë ngjashmëri: popullësi të vogël, shumica shqiptarë dhe zhvillim të paqëndrueshëm ekonomik.
I fundit mund të ketë qenë shkaku kryesor i ikjes së tyre drejt Gjermanisë.
Organizata joqeveritare gjermane, Friedrich Ebert Foundation, bëri një analizë në janar dhe shkurt të këtij viti, për të gjetur shkaqet e këtij eksodi. Rezultatet e tij treguan se shumica e atyre që largoheshin këtë e bënin për arsye ekonomike – me shpresë për të gjetur punë dhe jetë më të mirë në Gjermani.
Pothuaj në të njëjtën kohë, BBC bisedoi me të rinjtë mitrovicas. Një nga ta tha se “Kosovarët jetojnë si zogjtë në kafaz”. Udhëtimi për në vendet e BE-së ishte i vështirë për shkak të regjimit të vizave. Ndërsa perspektiva atje ishte shumë e vogël – papunësia e të rinjve është rreth 60%.
Arsye pothuaj të njëjta kanë edhe shqiptarët në Shqipëria, të cilëve kriza ekonomike u ka shkatërruar jetët në Greqi e Itali, duke i bërë të kthehen në Shqipëri, ku paga mesatare është 350 euro.
Deri tani as Kosova, por as Shqipëria nuk kanë qenë në listën e “vendeve të sigurta të origjinës” nga Gjermania, por kjo pritet të ndërrojë.
Megjithëse shumica e kërkesave për azil refuzohen, duhet rreth një vit për t’i kthyer këta njerëz në vendet prej nga janë larguar.