Lajmet e fundit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi duke folur për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë që pritet të nisin për më pak se dy orë ka thënë se pret që Bashkimi Europian të jetë i qartë me Serbinë.
“Unë pres që Bashkimi Europian të jetë i qartë dhe i vendosur në raport me Serbinë, se një shtet që pretendon të jetë pjesë e familjes evropiane, nuk mund të sillet në raport me fqinjët ashtu si po sillet, duhet një qëndrim i BE-së”. “Asnjë temë nuk është e planifikuar, por ne do të kërkojmë që Bashkimi Europian të jetë i qartë dhe që Beogradi të mos provojë më tutje të cënojë territorin e Kosovës”. Thaçi duke folur ekskluzivisht në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se “BE nuk duhet ta përkdhel Beogradin”. “BE nuk duhet të hesht, nuk duhet ta përkdhelë Beogradin, Beogradi nuk mund të lëvizë drejt perspektivës evropiane me këtë mentalitet të aneksimit të një pjesë të territorit të Kosovës”. Presidenti i vendit ka deklaruar se pretendimit të Serbisë për të marrë një pjesë të territorit të Kosovës, Kosova do t’i përgjigjet. “Ne si Kosovë tërë këtij pretendimi do t’i përgjigjemi si shtet, me forcën e ligjit dhe Kushtetutës”. “Kanë nisur trenin, e kanë ndaluar trenin por nuk kanë hequr dorë nga aneksimi i pjesës veriore të Kosovës”. “Incidentet e fundit, nuk janë të panjohura, ka qenë e njohur edhe më herët për opinionin se ZSerbia ka përdorur provokime të tilla”. Ai ka thënë se nga ky dialog në Bruksel mes të dyja shteteve, Kosova mirëpret çdo ide për paqe dhe stabilitet por vetëm si dy shtete të pavarura.